Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sot është ditë e rëndë për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë.
Ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave ndërsa ka bërë të ditur se sot do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.
“ Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme”, ka thënë presidentja në një postim në Facebook.
Ajo ka potencuar se situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve.
“Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë!”, ka përfunduar presidentja Osmani.