Udhëheqja politike në Serbi nuk e ka ndërmend të shkëputet nga trashëgimia millosheviqiane në këtë shtet.
Bashkëpunëtorët e dikurshëm të Millosheviqit që sot janë në majat e pushtetit në Serbi, flasin me mburrje sa herë që kujtohet kjo periudhë.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, teksa ka folur për kohën sa ishte ministër i Informimit në regjimin e Millosheviqit, e ka përshkruar performancën e tij si të pasuksesshme.
Ai ka shpjeguar se në atë periudhë ishte e pamundur që të ngrije zërin ndaj normave të caktuara ligjore të propozuara nga të tjerët. “Isha i dobët dhe e pagova çmimin”, ka thënë kryeministri serb.
Sidoqoftë, ai nuk është distancuar nga ky regjim dhe as nuk ka kërkuar falje për krimet e përbindshme të Serbisë ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Vuçiq që sot cilësohet si i moderuar nga Brukseli, në vitet 90-ta sa ishte deputet i Partisë Radikale të Sheshelit kërcënonte publikisht se për 1 serb të vrarë do të vriteshin 100 boshnjakë!