Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka dhënë detaje rreth takimit që pati sot me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ndërkohë që ka bërë të ditur se në këtë takim kanë diskutuar edhe për arkivat.
Pas përfundimit të takimit që zgjati rreth një orë, Krasniqi në një prononcim për media, tha se nga Lajçak është njoftuar lidhur me zhvillimet e fundit dhe gjithë procesin e dialogut deri më tash.
Ai tha se mbeten partia e vetme që kanë platformë të plotë për dialogun, e cila sipas tij, është rruga e vetme për të shkuar përpara.
Krasniqi: Dialogu me Serbinë të ketë sa më shpejt epilogun e vet
“Ne kishim një takim me z. Lajçak dhe delegacionin e tij, për të diskutuar për zhvillimet e fundit lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Unë u njoftova nga z. Lajçak për zhvillimet e fundit, takimet që kanë ndodhur deri më tash, për krejt procesin. I shpreha qëndrimet e PDK-së lidhur me këtë proces. Për ne është e rëndësishme që dialogu të ketë epilogun e vet dhe kërkesa jonë është që të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që përfundimi i këtij procesi të sjellë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga ana e Serbisë, pa cenuar asnjë nga elementet dhe themelet e Kushtetutës të Republikës të Kosovës”, tha ai.
Sa i përket hapjes së arkivave të UÇK-së me Serbinë, Krasniqi tha se kjo e fundit nuk ka pasur arkiva dhe kushdo që e thotë të kundërtën shkakton konfuzione të cilat i shërbejnë Serbisë për konspiracion ndaj Kosovës.
Krasniqi: UÇK-ja s’ka pasur arkiva, po shkaktohen konfuzione
“Fokusi duhet të jetë tek çështjet e mëdha dhe nuk duhet askush të tentojë me çështje më sporadike të ikë nga obligimet e mëdha që kanë. UÇK nuk ka pasur arkiva, ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo që thotë diçka tjetër, me apo pa qëllim, thotë diçka të pavërtetë dhe shkakton konfuzione, të cilat mund të jenë vetëm në favor të konspiracioneve dhe imagjinatës që tashmë është pjesë e diskursit publik dhe sulmit politik të Serbisë ndaj Kosovës”, tha Krasniqi.
Ai nuk ka pranuar të flas rreth qëndrimit të të dërguarit special të BE-së për dialogun, pasi siç tha ai, do të ketë mundësi që të deklarohet vet. Ndërkohë që nuk ka lënë pa përmendur fushatën zgjedhore, e cila ka filluar sot.
Krasniqi: Nuk mund të tregoj unë çka ka thënë Lajçak, mund ta pyesni gjatë ditës
“Nuk duhet të them unë atë që ka thënë z. Lajçak, e ka bërë publike, por mund ta pyesni më vonë. Urime fushatën zgjedhore të gjithëve, por për këtë do të flasim gjatë ditës”, tha ai.
I dërguarispecial i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe liderë të partive opozitare.