Pjesëtarë të Njësisë Speciale operative të Policisë së Kosovës kanë arritur sot në mëngjes në dy vendkalimet kufitare në Jarinje edhe Bërnjak me 20 automjete, prej të cilave 10 të blinduara, ka njoftuar “Kosovo-online”, ndërsa në afërsi të Jarinjës kanë bllokuar rrugën qytetarët , shkruan “Kurir”, transmeton “Bota sot”.
Qytetarë të pakënaqur kanë bllokuar rrugën për Jarinje, ndërsa RSO kërkon shpërndarjen e tyre, mësohet se nga veriu kanë arritur rreth 400 automjete, që sipas “Kurir” kanë thënë se “kjo është protestë e qetë, nuk ju prekim”.
Njësitë speciale RSO janë shpërndarë sot në mëngjes në të gjithë veriun e Kosovë, gjë që ka nxitur shqetësim të madh tek serbët që jetojnë atje. Thonë mediet serbe.
Disa nga mjetet e blinduara ndodhen në rrugën magjistrale Leposabiq-Mitrovicë tek kthesa për Banjskë, ndërsa shumë automjete ndodhen edhe në Soçanicë dhe përgjatë rrugës në shumë lokacione.
Kjo sipas medieve serbe ka nxitur shqetësimin e banorëve në atë pjesë, që nga dje kur janë vendosur kontejner montazhi në afërsi të Jarinjes, që sipas policisë janë marr masa për përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët e vendkalimit kufitar.
Nuk njoftohen detaje tjera shtesë rreth situatës në atë pjesë, ku është bllokuar rruga nga serbët me automjete, ndërkohë që njoftohet se ROSU ka kërkuar nga serbët që kanë bllokuar rrugën të shpërndahen.