Serbët e Kosovës janë të shqetësuar me zhvillimet në vendkalime kufitare Jarinje edhe Bernjak, pasi atje autoritetet e Kosovës kanë dërguar njësitet e specializuara ROSU, shkruan “B92” duke vlerësuar situatën të tensionuar, transmeton “Bota sot”.
Sipas këtij mediumi, në këtë ka ndikuar vendimi i Prishtinës që të hënën në mëngjes njësitet speciale të vendosen në kalimet Jarinje e Bernjak dhe ku iu kanë heq tabelat me regjistrim serb dhe i kanë detyruar vendosjen e tabelave të Kosovës, që kushtojnë 5 euro dhe vlejnë 2 muaj.
Kjo masë e qeverisë në Prishtinë ka nis të aplikohet nga dje në mëngjes për automjetet me tabela serbe që hyjnë në Kosovë.
Vendimi për reciprocitet nga ana e Prishtinës ka nxitur pakënaqësi tek serbët e Kosovës, ndërsa disa nga ata e kanë kaluar natën në vendkalime, sipas njoftimeve me ta ishin edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
Presidenti i Serbisë Vuçiq në adresimin për kombin të hënën pasdite theksoi se kjo ishte një ndër ditët më të rënda për popullin tonë në Kosovë.
"Shqiptarët kanë angazhuar snajper që kanë mbuluar shtëpitë e serbëve të rinj që kanë mundur të kundërshtojnë aksionet e tyre", kumtoi presidenti.
"Ne kishim dijeni për planin e Prishtinës, Sot pas orës 6 ato forca kaluan në veri të Kosovës, kjo është hera e 6 e ndërhyrjes brutale në atë pjesë”, tha dje Vuçiq.
Vuçiq ka përkujtuar se Prishtina nuk po përmbush marrëveshjet e arritura me Beogradin dhe ftoi serbët që mos të bien pre e provokimeve.