Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë para arkivoleve të viktimave të masakrës së Rezallës, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, që u kthyen sot në Kosovë.
Kryeministri i vendit Albin Kurti tha se janë bërë 8215 ditë nga mungesa e përgjigjes për familjarët rreth vendndodhjes së më të dashurve të tyre.
Kurti tha se dita e sotme është e rëndë, pasi fëmijët janë rritur duke pritur përgjigje për më të dashurit e tyre.
“Nuk ka fjalë që mund të plotësoj boshllëkun e mungesës për të dashurit tuaj”, tha mes tjerash kryeministri.
Kryeministri Kurti tha se duhet të dëgjohemi më shumë se ata që e mohojnë gjenocidin, duke theksuar se masakra e Rezallës është dëshmi e gjenocidit.
“Kjo këtu është e vërteta që mbulohet. Tërë këto vite ishit ju familjarë që thyhet heshtjen dhe mizoritë që ndodhën”, u shpreh ai.
Për këtë arsye, Kurti tha se të zhdukurit janë cështja e parë që diskutohen në dialogun me Serbinë.
Kurti theksoi se përgjegjësit e krimeve të luftës vazhdojnë të cilësohen si heronj në Serbi dhe promovojnë politika shoviniste.