Rusia sulmon ashpër Prishtinën: Ata janë cinikë dhe të ashpër!

Lajme

Rusia sulmon ashpër Prishtinën: Ata janë cinikë dhe të ashpër!

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 15:15
Policia

Ndërkohë që nga Brukseli në Uashington, të gjithë kanë përshendetur Prishtinën e Beogradin për marrëveshjen e arritur për targat, çka jep mundësi për uljen e tensioneve, Moska zyrtare sulmoi fort Kosovën.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse Alexei Zaitsev, në një konferencë të posaçme për shtyp, ka akuzuar qeverinë e Kosovës, se ka vepruar në mënyrë “cinike dhe të ashpër” në lidhje me bllokimin e kufirit për targat serbe.

Zaitsev deklaroi se marrëveshja e 14 shtatorit 2016 thotë se: Kosova e zgjat vlefshmërinë e regjistrimeve për pesë vjet, pas së cilës palët do të rishqyrtojnë çështjen me ndërmjetësimin e BE -së nëse është e nevojshme.

Sipas tij, Kosova nuk mund të merrte një vendim pa njoftuar të paktën palën ndërmjetëse, që në këtë rast është Bashkimi Europian.

Në vend të dialogut, autoritetet e Prishtinës dërguan forca speciale duke u përpjekur të imponojnë një zgjidhje që u përshtatet atyre”, tha Zaitsev, i cili shtoi: “Ndaj për këtë arsye, ne shohim një shkelje të drejtpërdrejtë, të qartë dhe cinike të detyrimeve të shqiptarëve të Kosovës në kushtet e një procesi ligjor të papërfunduar që duhet të zgjidhë problemin e lirisë së lëvizjes”.

Ndërkaq, mbrëmë në orët e darkës ka shpërthyer sërish një “incident” i ri, sipas gjasave një lajm i rremë serb i hapur nga strukturat e BIA-s, siç ndodhi me “plagosjen” e disa serbëve në Mitrovicën e jugut.

Siç bën të ditur ‘B92’, Lista Serbe ka akuzuar trupat e ROSU se  dëmtuan qëllimisht disa automjete serbe.

Igor Simiq, nënkryetari i listës Serbe, ka hedhur në faqen e tij të Facebook-ut, foton e një makine që është gërvishur në pjesën e derës së pasagjerit, duke e shitur si një inat I policisë së Kosovës.

Natyrisht, ata nuk mund ta fshehin zhgënjimin e tyre që qytetarët tanë nuk u pajtuan me provokimet në 11 ditët e mëparshme dhe se u arrit një marrëveshje që respekton interesat e njerëzve tanë”, shkroi Simiç në Facebook.

Në pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut vijojnë barrikadat e makinave të rënda serbe, e deri më 2 tetor kur duhet të nisë zbatimi i marrëveshjes, ka gjasa që të ketë veprime për të eskaluar situatën, që më pas të akuzohen shqiptarët si shkelës të marrëveshjeve.

BE u bëri thirrje të dyja palëve të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më parë dhe të vazhdojnë dialogun në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet.

Ndërkaq, Rruga Rashkë – Mitrovicë është ende e bllokuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat