Prej të hënës në vendkalimet në Jarinjë edhe Bërnjak po aplikohet reciprociteti i tiketave ngjitëse.
Lidhur me këtë, kreu i Këshillit të Kuvendit Milovan Drecun, ka thënë për RTS se “tek tash duhet të tentohet të gjendet zgjidhja përfundimtare për tabela dhe se Prishtina përmes tyre do të tentojë imponimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi dhe në lojë të vendos reciprocitetin”, transmeton “Bota Sot”.
Sipas tij, më e rëndësishmja është se Njësia Speciale është tërhequr nga veriu i Kosovës dhe u largua rreziku i konfliktit apo incidenteve, ndërsa tiketat ngjitëse janë të përkohshme.
"Tek tash duhet kërkuar zgjidhjen përfundimtare për tabela dhe të realizohet marrëveshja e lirisë së lëvizjes, kjo është punë e grupeve punuese që do bëhet brenda 6 muajve”, tha ai, duke shtuar se nuk do jetë e lehtë biseda dhe e vështirë do të jetë zgjidhja.
"Sepse Prishtina po keqpërdor tabelat dhe po përpiqet të imponojë dy qëndrime, njëri që Serbia në rrugë të ndërmjetme ta njohë Kosovën përmes tabelave dhe dy, që në lojën politike të fus reciprocitetin dhe kjo të bëhet normale”, tha Drecun.
“Nga deklarata e të dërguarit të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, shihet se ShBA i japin pëlqim Prishtinës për sjellje të këtillë dhe lejuan të ashtuquajturin reciprocitet”, tha ai.
Drecun tha se zgjidhja me tiketa mundëson lëvizjen e lirë, por është zgjidhje e përkohshme e arritur në vitin 2016.
"Nga gjithë kjo shihet se aksioni i Prishtinës ishte i panevojshëm, sa ishte i dhunshëm, provokues dhe përpjekje imponimi të asaj që është interes i Prishtinës dhe jo i popullit serb që jeton atje”, tha Drecun.
Ai porositi se me refuzimin e “vazhdimit të afatit të vlefshmërisë së tabelave KS me status neutral, që ka lëshuar UNMIK-u, Prishtina simbolikisht tenton të imponojë qëndrimin se nuk ka OKB në Kosovë".
Drecun shtoi se Kurti është kritikuar nga opozita në Prishtinë dhe se reaguan në ashpërsimin e situatës.
"Aty duket se Kurti ka humbur pikë politike, në fillim ishte fitues, tregoi qëndrim të fortë, tregoi se ka guxim të lëshohet në aksione të njëanshme dhe atë që premton e realizon por nuk ka tjetër letër për zgjidhjet lokale. Nuk ka asnjë rezultat në planin ekonomik, nuk ka rezultat në luftën kundër papunësisë së madhe enorme, korrupsionit e kriminalitetit, nuk ka hap perspektiv për jetë më të mirë të njerëzve në Kosovë", tha Drecun.