E mbështeti aksionin në veri, Gjuriq sulmon eurodeputeten gjermane – e quan “dashnore” të Kurtit

Lajme

E mbështeti aksionin në veri, Gjuriq sulmon eurodeputeten gjermane – e quan “dashnore” të Kurtit

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 10:56
Marko Gjuriq

Ish-vartësi i presidentit Vuçiq që tani shërben si ambasador i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq, ka sulmuar Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon për mbështetjen që ajo i ka dhënë aksionit policor kundër kontrabandës në veri.

Gjuriq e ka quajtur eurodeputeten gjermane si “dashnore të kryeministrit Kurti” shkruan, B92.

“Në vend se të kundërshtojë aksionin e policisë si eurodeputete, Von Cramon kritikoi Josep Borrellin i cili tha se aksioni ishte i njëanshëm. Von Cramon mendon që disa serbë që janë në Kosovë duhet të jenë njerëz të këqinj teksa i dashuri i saj Kurti duhet të jetë i mirë edhe kur ai vret”, ka thënë Gjuriq.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.

Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës sot, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Twitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen. Dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat