Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, që përfaqëson Luginën e Preshevës, ka folur sot nga Shkodra për atë që ai e quan “shtypja e shqiptarëve në Serbi nga regjimi i Presidentit Vuçiq dhe pozitën e vështirë të shqiptarëve atje."
Gjithashtu, deputeti shqiptar ka komentuar dhe nismën e “Open Balkan”, për të cilën është shprehur se “nuk mund të vazhdojë, përsa kohë Kosova është e përjashtuar”.
Deputeti Kamberi ka deklaruar se “Vuçiq me dy standarde ku nga njëra anë bën si paqësor i Ballkanit dhe bashkues, por nga ana tjetër përmend termin bota serbe duke përjashtuar gjithë të tjerët dhe ka lidhje të forta me Kinën e Rusinë, si dhe tenton shpopullimin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës”. Sipas tij, duhet më shumë mbështetje nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Nuk mund të ketë “Open Balkan”, përsa kohë shqiptarët në Serbi janë të shtypur. Nuk mund ta kritikoj këtë procedure, por s’mund të ketë përjashtime. Kam kritika edhe për administratën e Brukselit që po detyron Kosovën dhe Serbinë të firmosin disa marrëveshje që ndoshta nuk janë të duhurat”, ka thënë deputeti Kamberi.