Rama nga Beogradi kërcënon Kosovën, përmend kufijtë!

Lajme

Rama nga Beogradi kërcënon Kosovën, përmend kufijtë!

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 07:55
Edi Rama nga Beogradi

E plotësuar (14:05)-  Rama pa fije turpi deklaron: Kosova ka fituar luftën, por tani po humbet paqen!

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se e ardhmja nuk është izolimi, por liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve. Rama tha në konferencën për mediat pas samitit të “Ballkanit të Hapur” se kjo nismë synon t’iu heqë barrën prodhuesve apo eksportuesve në kufi. Sipas tij, rritet shumë interesi për investime të huaja.

“Është afërmendsh që sot edhe pa Ballkanin e Hapur fare dhe pa këto marrëdhënie fare ndodhin ndërveprime në territor. Prodhuesit shqiptarë, eksportuesit shqiptarë kanë vite që eksportojnë në Ballkan, në Serbi dhe para se të vendoseshin marrëdhëniet. Ajo që Ballkani i Hapur po bën është që atyre t’iu heqë barrën e tmerrshme të presionit dhe pritjes në kufi.

Sot ka një fluks të caktuar aktivitetesh që ndodhin dhe njerëz që kanë nevojë për këtë gjë. Kjo sjell që shumë të tjerë të përfshihen në këtë hapësirë dhe të ndërveprojnë në këtë hapësirë. Rritet shumë interesi për investime të huaja nga jashtë, së pari duke vendosur garancinë e paqes. Patjetër që ndikimi pozitiv i gjithë këtij ndërveprimi shtrihet pastaj në të gjitha shoqëritë
”, tha Rama.

Sa i përket Kosovës dhe kur mund t’i bashkohet ajo nismës, kryeministri tha se nëse duam që ta bëjmë Serbinë të kërkojë falje, duhet të kemi një strategji, dhe jo t’i biem këmbës o kështu si them unë s’ka se mbetesh vetëm. Ai theksoi se Kosova ka fituar luftën, por tani po humbet paqen. Lidhur me datën e samitit tjetër në Tiranë, ai tha se do jetë mes 25 dhe 31 dhjetorit.

Ajo që duam ne të realizojmë është që të gjithë ata që ndërveprojnë në këto territore si eksportues, distributorë, sipërmarrës të mos kenë pengesa në kufi dhe të mos kenë 2 e 3 palë e më shumë palë akoma kontrolle, verifikime.

Të vendosim lirinë e lëvizjes. Kjo kërkon që burokracitë e këtyre vendeve të njehsojnë procedurat dhe të bëhet njohja respektive e të gjithë dokumentacionit të një vendi nga vendit tjetër. E gjitha është pjesë e objektivave të procesit të Berlinit.

Në procesin e Berlinit është që s’ka marrëveshje pa vendosur të gjithë. Kjo nuk është opsion, ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë. Patjetër që të gjithë do vijnë sepse nuk kanë ku shkojnë. E ardhmja nuk është izolimi, e ardhmja është liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave e shërbimeve. Për sa kohë BE nuk është gati dhe është në halle të mëdha të brendshme, ne çfarë duhet t’u themi njerëzve, prisni njëherë sa të futemi në BE apo se ne mendojmë njëherë që duhet të vijë Serbia të kërkojë falje. Janë procese që shkojnë paralelisht. Nëse duam që ta bëjmë Serbinë të kërkojë falje, duhet të kemi një strategji, dhe jo t’i biem këmbës o kështu si them unë s’ka se mbetesh vetëm. O kështu si them unë o s’ka merr pushkën e në rregull. Kosova ka fituar luftën, Serbia e ka humbur luftën. Tani Kosova po humbet paqen. Ky është fakti i dhimbshëm dhe i vërtetë. Kush është zgjidhja, Edi Rama është tradhtar. Nëse kjo e zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës jam gati ta mbaj me shumë krenari këtë damkë
”, tha Rama.

 

Rama ‘thumbon’ Kurtin nga Beogradin

Kryeministri Edi Rama në një diskutim me gazetarët pas samitit për “Open Ballkan” në Beograd është pyetur nëse do të insistojë të bindë Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Ndërkohë që takimi i radhës do të mbahet në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare tha se me Kosovën kanë marrëdhënie speciale.

Ai shtoi se nuk mund të  ndërhyjë, ndërsa ironizoi se nuk ka degë të PS-së në Kosovë, duke thumbuar kështu kryeministrin Albin Kurti për qendrën e Vetëvendosjes në Shqipëri.

“Ne kemi me Kosovën me marrëdhënie speciale, kjo s’ka nevojë për diskutim. Do të bëjmë çmos që marrëdhënie me Kosovën ta kemi sa më cilësore. Por përsëri po i kthehem tjetër është një marrëdhënie bilaterale mes dy ekonomive të vogla. Është komplet gjë tjetër në aspektin ekonomik. Sa i përket bindjes nuk bëj asnjë përpjekje për tu imponuar. Është vendim sovran i atyre që kanë marrë votën  dhe kanë mandatin për të vendosur në Kosovë. Nuk është përgjegjësia ime, dhe ju e dini që skam degë të PS në Kosovë,” deklaroi kryeministri.

-Rama thotë se “Serbia do t’i kërkojë falje Kosovës”

Teksa komentoi nismën “Open Balkan” kryeministri Rama tha se Kosova nuk duhet të qëndrojë e frenuar për shkak të Serbisë sepse kjo e fundit do të kërkojë falje, por se falja do të vijë në fund.

Ai shtoi se fakti që Serbia sot fton Kosovën të vijë në “Open Balkan” është një arritje për shqiptarët e Kosovën.

“Procesi ‘Open Balkan’ nuk interferon me dialogun, por e lehtëson atë. Edhe unë jam dakord që Serbia të kërkojë falje. Kjo i vë kapakun çështjeve dhe çon në njohjen e saj. Falja vjen në fund, nuk  mund të vijë në fillim. Nuk mund të pritet të zgjidhet ky konflikt pa bërë asgjë, sa kohë jemi në paqe. Paqja kërkon mirëqenie. Sot Serbia thotë “Bujrum hajde, uluni!”. 

Kjo është një arritje e madhe për shqiptarët e Kosovën. Kjo si rezultat i diplomacisë së jashtme dhe politikës sonë. Ky proces sjell vetëm të mira. Ta refuzosh procesin do të thotë t’i mohosh popullit tënd një histori suksesi. Shqipëria e madhe është realizuar, përparësi diplomatike që janë bërë. 

Me Kosovën kemi marrëdhënie speciale që nuk varet nga ‘Open Balkan’ e asgjë. Por tjetër gjë është ndërveprimi mes dy vendeve të vogla, e tjetër gjë ndërveprimi në përmasa të tilla mes vendeve”, deklaroi Rama.

***

 Kryeministri Edi Rama ka theksuar dhe njëherë se nisma “Ballkani i Hapur” është njësi zbatimi e procesit të Berlinit. Nga Beogradi, kreu i qeverisë theksoi se “Ballkani i Hapur” është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin.

Ai shtoi se i ka dëgjuar arsyet e tre vendeve që nuk marrin pjesë, por i konsideroi arsye të mosaarsyes.

“Pikërisht pse procesi i Berlinit është një proces që pasi ka vendosur një kornizë vlerash ka mbetur në rrugë nga një samit në tjetrin, në tjetrin, në tjetrin çdo vit dhe çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nismë, e cila nuk është asgjë tjetër veçse një njësi e zbatimit të procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe njëkohësisht duke monitoruar zbatimin. Ballkani i Hapur nuk është për tre vende, është për të gjashta dhe ndryshe nga procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend sepse përcakton qartë se cilido prej vendeve që do të ecë më shpejt mund ta bëjë këtë, pa qenë i detyruar të presë konsensus sikur jemi një karikaturë e BE. E thjeshtë dhe e përsëris, për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë Ballkani i Hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin. Arsyet se përse të tjerët janë skeptikë, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe të Kosovës, por i konsideroj arsye të mosarsyes. Ju thatë që duket sikur Ballkani i Hapur janë për interesat ekonomike të këtyre tre vendeve. Patjetër që unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, për çfarë duhet të jem këtu për interesat ekonomike të Gjermanisë, Kinës? Interesat ekonomike të Shqipërisë drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur. Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur t’i dorëzojmë të gjitha atyre sipërmarrjeve që takuam sot, që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do kërkojnë të vijnë para qeverive, për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Mos u çudisni! Kjo nuk është një tekë, as konspiracion, as iluzion halucinant, kjo është një kërkesë ulëritëse ekonomitë tona, e njerëzve, qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm.

Ne na duhet gjithçka për ekonominë tonë dhe ne do bëjmë gjithçka”, deklaroi Rama.

***

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, janë mbledhur në Beograd  për takimin e radhës në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i hapur”.

Gjatë fjalës së tij Presidenti serb Vuçiq ka zbuluar se pas Krishtlindjeve, takimi i radhës do të mbahet në Tiranë. Sipas Vuçiq data e takimit do të jetë mes 26 dhe 28 dhjetor.

Vuçiq zbuloi se në takimin e radhës në Tiranë do të firmose marrëveshja mes tre vendeve për lejet e punës që kjo të bëhet ligjërisht e lejueshme. Ai ka argumentuar se kjo do të bëjë që qytetarët të mos largohen nga rajoni.

“Në samitin e Tiranës do kemi një takim pas Krishtlindjeve, 26-27 apo 28 në Tiranë. Dhe do nënshkruajmë memorandumin për lejet e punës që duhet të ketë fuqi ligjore. Se kjo është për të mbajtur njerëzit në rajon që ata të mund të punojnë. Do kemi më shumë indianë turq apo nga Filipinet nëse nuk e bëjmë. Edhe pse mundësia është që ti kemi njerëzit tanë.” tha Vuçiq.

***

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u shpreh i prerë për të mos dhënë më justifikime për nismën e “Ballkanit të Hapur”.

Në konferencën për shtyp në Beograd në kuadër të samitit, Vuçiq tha se i kanë hapur dyert edhe për vendet që nuk janë bërë pjesë. Për këtë arsye lideri serb thotë se nuk kanë pse të japim më justifikime, pasi gjithçka bëhet për të mirën e qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse.

“Ne i kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës. Kemi shumë punë, dhe mjaft shqetësime të tjera që të justifikojmë për diçka çdo kohë. Të gjithë kanë një nismë kaq të pastër.

Po e bëjmë këtë për të mirë të qytetarëve tanë, pse duhet të japim shpjegime. Ne diskutuam mbrëmë me kryeninistrin e Malit të Zi, përmendëm se cilat ishin përfitimet. Ai tha se është e rëndësishme që të jetë pjesë e nismës së përbashkët për katastrofat natyrore. Nuk e nxitëm,” deklaroi presidenti serb.

***

Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, sot në Beograd ka mbërritur zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikola Dimitrov, në takim pune në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Me të mbërritur, Dimitrov theksoi se bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për arritjen e angazhimeve të përbashkëta strategjike për të cilat është përkushtuar Qeveria, pavarësisht situatës politike, dhe konfirmim për këtë është pjesëmarrja e tij në këtë takim.

“Mbi të gjitha, unë vij me mesazhin se bashkëpunimi rajonal është një histori absolutisht evropiane, se ne duam të vazhdojmë ta thellojmë atë. Ne shtojmë një segment të rëndësishëm nesër – si mund të na ndihmojë dixhitalizimi të përshpejtojmë dhe thellojmë bashkëpunimin rajonal. Unë vij në një kohë kur, siç e dini, në Maqedoninë tonë, në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet lokale kanë përfunduar, ka sfida të caktuara politike dhe një krizë politike në një farë mënyre. Është e rëndësishme të japim një sinjal se si qeveri, si shtet jemi plotësisht të përkushtuar ndaj kësaj iniciative që ka lindur në Ballkan dhe qëllimi i së cilës është në radhë të parë një Ballkan evropian”, tha Dimitrov.

Nga zyra e tij bëjnë me dije se janë planifikuar takime lidershipi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqi, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me përfaqësues të kompanive nga të tre vendet pjesëmarrëse në këtë platformë për të nxitur bashkëpunimin rajonal në kontekst. të integrimit evropian.

***

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Nikola Dimitrov, mbrëmë janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Darka e punës i paraprin takimit të nismës rajonale “Ballkani i hapur”, që do të mbahet sot.

Agjenda e takimit në Beograd

Takimit Rama-Vuçiq-Dimitrov do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Takimit do t’i bashkohen edhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Këshilli Atlantik.

Sipas agjencisë së lajmeve MIA, në Shkup është njoftuar se përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të diskutojnë për lehtësimin e tregtisë, ndërsa do të mbahet edhe një diskutim me temën: “Transformimi digjital si bazë për informimin rajonal”.

Është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e të tre zyrtarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat