Në Kosovë ka një iniciativë jo të vogël për mbledhje fondesh për të paguar avokatët që janë angazhuar për lirimin e të arrestuarve nga gjykata speciale, ish presidentin e vendit Hashim Thaçin, dy ish-kryekuvendarët Veseli dhe Krasniqi dhe për ndonjë tjetër.
Në ndërkohë, sipas disa informacioneve publike buxhetit të Kosovës i kushtojnë rreth 80 mijë euro në muaj pagesat për avokatët që i kanë angazhuar të gjithë të akuzuarit nga gjykata speciale, për vrasje politike dhe krime të tjera që lidhen me luftën.
Më interesantja është në këtë mesele, se që të gjithë thuaja akuzohen në Kosovë se janë multimilioner, ndërsa që të gjithë kanë zgjedhur avokatët më të shtrenjtë në botë.
Shumë burime e thonë se gjatë arrestimit të Jakup Krasniqit, i cili zgjati disa orë, e gjithë vonesa ndodhi për shkak se atij iu gjetën shuma marramendëse parash, të fshehura në thellësi të shtëpisë.
Edhe ‘fukarenj’ edhe paguajnë avokat, sa pak kush mund t’i paguajë ndër shqiptarë, përveç vet këtyre që janë pasuruar në mënyra të ndryshme nga pasuria e Kosovës.
Më e rënda është se këta edhe deklarohen, duke bërë ‘be e rrëfe’ se janë të pafajshëm. Nëse janë vërtetë të pafajshëm, s’kanë nevojë as për avokat. Pse t’ua boshatisin xhepat ‘e zbrazur’!
Në kundërshtim me ato që thonë kur pyeten, ata ndihen shumë të fajshëm, madje nuk zënë vend dot. Nuk mund ta përballojnë dot jetën e vështirë prapa grilave, qoftë edhe një ditë të vetme, jo që tashmë e kanë kaluar një vit.
Në një shkrim të para disa viteve, liderët kryesorë të vendit akuzohesh se kishin së bashku rreth 330 milionë dollarë, madje vetëm në një bankë të Qipros. Sipas atyre informacioneve, edhe pse të bëra në kohë fushate, dyshohej se Thaçi mund të kishte nën 80 milionë euro, ndërsa Kadri Veseli i printe listës, me gati 100 milionë euro.
Këto informacione nuk u morën seriozisht nga shteti, por akuza të tjera ta krijojnë idenë se këta kurrë nuk kishin pak para. Leje se këta kurrë nuk raportuan për fondin “Vendlindja thërret”, një fond kryesisht prej qindra miliona markash, franga zvicerane, dollarë amerikanë etj, shumica e të cilit mbeti pa u shpenzuar për shkak të përfundimit të luftës së shpejtë dhe mungesës së organizimit të këtij krahu, për t’i shpenzuar në luftë.
Gjatë gjithë kohës sa PDK-ja ka qenë në qeverisje, por edhe AAK-ja, thuajse nuk ka pasur tenderë të rëndësishëm që të mos jetë përfolur. Përgjithësisht është konsideruar se minimalisht 20 % e tyre shkon për xhepat e politikanëve të mëdhenj, të pushtetit dhe të partive ‘të luftës’.
Një pasuri të jashtëzakonshme e kanë krijuar edhe nga privatizimet, duke blerë tokën dhe industrinë me shuma simbolike e qesharake. Një ari tokë edhe me 2 euro, më lirë se një gjellë (gullashi). Një pjesë të tyre e kanë shitur, dhe një pjesë të tyre e ka marrë shteti pastaj gjatë shpronësimit të tokave, andej nga këta vetë i përcaktonin trajektoret e rrugëve. Pastaj një ari tokë ia shisnin shtetit, mbi çmimin e tregut. Nëse në një hapësirë një ari kushtonte 7 apo 8 mijë euro, ata dy vite para se të arrinte ky çmim e shisnin për së paku 10 mijë euro, edhe pse ishte në një vend që në treg të lirë, mund të paguhej përgjysmë. Pra, e detyronin shtetin ta paguante katërfishin e çmimit, aty ku kishte një lloj çmimi. Ndërsa, tokat që i kishin blerë me nga 2-3 euro arin, tani ia jepnin shtetit edhe për 5 mijë e më shumë euro.
Po ashtu janë botuar edhe dokumentarë, si “Shtabi i milionerëve”, që tregojnë jo vetëm për pasuri të paluajtshme, por edhe për privatizim të industrisë, të cilën ishin kujdesur që paraprakisht ta falimentonin.
Gazeta Nju Jork Times, që në vitin 1999 kishte shkruar se “Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij po ashtu pohohet të kenë eliminuar një rival të financuar ushtarak nga grupi i Rugovës”.
Pra, grupi që po akuzohet nga gjykata speciale, jo se nuk i ka punët keq me para, por se ata edhe gjatë luftës janë kujdesur që të marrin shuma marramendëse parash me çdo mjet.
Edhe një politikanë serb i paidentifikuar, akuzon Hashim Thaçin, por edhe grupimin e tij, se kanë pasuri marramendëse.
Incizimi ishte publikuar në gusht të vitit 2020 dhe ende ndodhet në youtube.
Në përgjimin e publikuar një politikan serb nga Kosova, që thotë se i njeh të gjithë politikanët kryesorë të saj, Hashimin, Kadrinë, Ramushin etj., ai thotë se këta njerëz kanë shuma të mëdha parash, madje për Hashimin thotë se vetëm në Turqi i ka 2-3 miliardë. “Sa kam unë informacione Hashimi i ka 2-3 miliardë në Hallbank te Erdogani, te kunati i Erdoganit, e dinë ata atje lart…”
“E dinë që i kanë dhënë për Markicen e Vuçiqit 600 milionë euro, kanë shku përmes Hashimit. Ai “projekti” ndaje andej këndej (për ndarjen e Kosovës)... dmth. në pyetje janë shumë para”, deklaron politikani i përgjuar.
“Në 2012 vëllai i Elmiut, Elmi Qeshku quhet i kanë dërguar para Vuçiqit për partinë e tij, SNS.”, thuhet në fund të videos së publikuar si përgjim ndërmjet një politikani serb, të pa identifikuar dhe kryetarit të Partisë Republikane në Serbi, Nikolla Sandulloviç.
Dhe ajo që është më tragjike, sipas këtij politikani serb, përveç Albinit, Serbia i kontrollon të gjithë të tjerët.