Vuçiq: Ose do ta formoni Asociacionin, ose...

Lajme

Vuçiq: Ose do ta formoni Asociacionin, ose...

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 16:12
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se deklarata e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Serbia është vegël në duart e Rusisë për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, “është budallallëk” dhe ka theksuar se “Serbia nuk është mjet në duart e Rusisë apo të kujtdo tjetër, as të SHBA e as të BE-së", raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

“Unë jam krenar për politikën që po ndjekim. Ndoshta jemi një nga vendet e pakta të pavarura në këtë pjesë të Evropës dhe jam krenar për këtë. Në vendin tonë askush përveç nesh nuk vendos se çfarë lëvizjesh politike dhe ekonomike do të bëjmë. Dhe kjo është një nga politikat që jam i sigurt se qytetarët e Serbisë do të duan të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme”, ka pretenduar Vuçiq.

Sipas tij, “kjo është politikë e vetme që mund ta ruajë lirinë e popullit tonë, të sjellë investime, të ruajë paqen, krenarinë, dinjitetin e popullit të Serbisë”.

“Ata që nuk e kuptojnë këtë, a duhet t’ju përgjigjem? Ky është një truk i mjerë që përdorin sepse kur nuk dinë çfarë të thonë kundër Serbisë, thonë se jemi të lidhur me Rusinë dhe Kinën. Kjo është një matricë dhe ne për këtë duhet të kërkojmë falje? Unë nuk do t’i kërkoj falje nga askush. Politika jonë është një Serbi e pavarur, sovrane, e lirë në rrugën evropiane, por që respekton miqtë e saj rusë, kinezë por dhe amerikanë”, ka pretenduar Vuçiq.

I pyetur për atë që ka thënë Osmani, se Asociacioni nuk do të krijohet, Vuçiq me ironi ka thënë “se për të më së miri do të ishte që  Asociacioni të prodhojë vetëm qese për çokollata dhe mundësisht të printojë tri shkrepëse në vit, që ajo të jetë e kënaqur”.

“Nuk ka asgjë nga kjo, ose do ta formojnë Asociacionin me ato autorizime që janë negociuar në Bruksel, ose unë i falënderoj, kështu që takohemi një ditë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka pretenduar se në ditët në vijim do të ketë mundësi të flasë më shumë “për fushatën e pamëshirshme që po bëhet kundër Serbisë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat