Ish-ministri Ylli Manjani i ka konsideruar një tjetër leksion demokracie balotazhin e mbajtur të dielën për zgjedhjen e drejtuesve lokalë në Kosovë.
Në një postim në facebook, ai shkruan se në anën tjetër të kufirit politika lëviz, kryetarët ikin me votën demokratike të qytetarëve që nuk pyesin asnjë Ambasador kur dhe përse.
Manjani: Kosova voton. Pushteti atje ndryshon. Politika lëviz. Kryetarët ikin. Askush nuk e ka me tapi. Kosova voton demokratikisht pa pyetur asnjë ambasador si, kur e përse! Votohet shpesh. Populli realisht vendos. Me votë Kosova na tregon se si ndryshon vendimmarrja në rrugë demokratike. Demokracia nuk njeh as mandate e as afate.Në Shqipëri….. lëre fare më mirë! Nuk krahasohen dot me ne ata… Nga monizmi në monizëm.Nga humbja në humbje. Asgjë nuk ndryshon. Zgjedhjet janë votime dhe mezi bëhen një herë në katë vjet si kampionati botëror i futbollit.
Në zgjedhjet lokale PDK-ja ka fituar numrin më të madh të komunave, me 9 të tilla, nëse nuk e llogarisim Listën Serbe e cila ka fituar të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në territorin e Kosovës ku ka garuar.
E dyta është LDK-ja me shtatë, përfshirë kryeqytetin të cilin e fitoi pas 2 mandatesh në opozitë, ndërsa AAK-ja ka pesë dhe LVV-ja katër.
Nga shtatë qytetet më të mëdha, PDK-ja ka fituar në tri, LDK-ja në dy, ndërsa në nga një kanë fituar VV-ja e AAK-ja.
PDK: Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçanik, Prizren, Drenas, Dragash
LDK: Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Junik, Fushë-Kosovë
AAK: Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë, Rahovec
LVV: Kamenicë, Shtime, Gjilan, Podujevë
Lista Serbe: Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Kllokot
Xhafer Gashi: Obiliq
KDTP: Mamushë
Nisma: Malishevë