Ministri i bashkësive dhe kthimit në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç dhe kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç kanë takuar sot shefin e zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Suniog me të cilin biseduan për situatën aktuale dhe proceset që priten në të ardhmen, ndërsa përfaqësuesit serb i thanë përfaqësuesit special të zyrës BE-së se prioritet i tyre është asociacioni i komunave serbe, shkruan “Novosti” transmeton “Bota Sot”.
Takimi mes përfaqësuesve serb dhe shefit të zyrës së BE-së është zhvilluar në Prishtinë, ndërsa pas takimit është lëshuar kumtesa për media nga ministria që drejton Rakiç.
Sipas kumtesës, edhe njëherë u nënvizua se formimi i asociacionit të komunave është me rëndësi vitale për serbët dhe frenimi i këtij procesi shpie në rrugë pa krye.
Gjatë bisedës u diskutua edhe për investimet e reja në mjediset ku jetojnë pakicat në Kosovë, për fondin zhvillimor për veriun e Kosovës dhe rëndësinë që ka ai.
“Ministri Rakiç dhe kryetari i veriut të Mitrovicës Radojeviç theksuan se është me rëndësi që në mënyrë konstante të punohet në krijimin kushteve më të mira për jetë në Kosovë dhe se për serbët bashkësia e komunave është mekanizmi primar për këtë”, thuhet në kumtesën pas takimit, ku po ashtu u diskutua edhe procesi i kthimit dhe siguria në Kosovë.