Pas aksidentit tragjik të autobusit në të cilin ndërruan jetë 46 persona, prokurori publik, Lubomir Joveski dhe kryetarja e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska kanë arritur në vendin e ngjarjes ku janë takuar me drejtorin e Shërbimit të Hetimit Nacional të Bullgarisë, Borisllav Serafov, shkruan btvnovinite.bg, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar Bullgar Borislav Sarafov tha se lista e pasagjerëve nga autobusi është dërguar në Shkup dhe ka filluar procesi për identifikimin e viktimave të aksidentit të autobusit që ndodhi sot në mëngjes në autostradën Struma në Bullgari.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joevski dhe kryetarja e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska.
“Kjo është një tragjedi e madhe. 12 fëmijë vdiqën. Së bashku me kolegët tanë nga Bullgaria u morëm vesh për punën tonë të mëtejshme, shpjegimin e detajeve të tragjedisë. Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e pasagjerëve të vdekur dhe mirënjohjen për punën e Prokurorisë bullgare”, tha Joevski.
Në takim, Joveski theksoi se Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e kolegëve nga Bullgaria për të përcaktuar sa më shpejt shkaqet e ngjarjes tragjike në të cilën sipas informacioneve fillestare kanë humbur jetën 46 persona dhe 7 u plagosën.
“Kemi shumë vite që kemi bashkëpunim profesional me Prokurorinë Bullgare dhe besoj se do të sqarojnë profesionalisht të gjitha rrethanat në këtë ngjarje. Do të ofrojmë ndihmë në sferën e sigurimit të dokumentacionit, identifikimit të viktimave dhe gjithçka që nevojitet në hulumtim.” tha Joveski.
Kryetarja e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska ka sqaruar se kompania “Besa Trans-Shkup” ka 20 vite që funksionon dhe deri më tani nuk ka pasur aksidente në komunikacion, por se nga dokumentacioni përkatës duhet të kontrollohet gjendja teknike e autobusëve. Sipas informacioneve fillestare, autobusi ishte i ri, dhe ka vetëm tre vjet që është në funksion.
Joveski sot në mëngjes ka pranuar mesazh ngushëllimi për ngjarjen tragjike nga kryeprokurori publik i Republikës së Bullgarisë, Ivan Geshev.
“Prokuroria publike e Republikës së Bullgarisë do të bëjë të gjitha përpjekjet për zbardhjen e ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve që shkaktuan aksidentin e rëndë trafiku.” tha Geshev në mesazh.
Në autobus ka qenë edhe një tjetër shofer, nuk dihet nëse është mes të mbijetuarve. Kështu deklaroi drejtori i Shërbimit hetimor kombëtar Borisllav Sarafov. Sipas tij, prokuroria do t’i dërgojë të gjitha dokumentet e nevojshme institucioneve në Shkup.
Katër autobusët u nisën me një distancë prej 15-20 minutash nga njëri-tjetri. Nuk ishte një autokolonë kompakte.
“Disa ekipe janë duke i marrë në pyetje të mbijetuarit në Pirogov – vetëm dy prej tyre aktualisht janë në gjendje adekuate, të tjerët janë në kujdes intensiv dhe në shok. Dëshmitarët okularë po merren në pyetje në vendin e ngjarjes,” shtoi Sarafov.
Paraprakisht, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski informoi se, përfaqësues të Sektorit për Polici Trafiku dhe Departamenti për hetime kriminalistike teknike dhe ekspertizë janë veç më në rrugë drejt Bullgarisë dhe u qëndrojnë në dispozicion për ndihmë dhe mbështetje kolegëve bullgarë.