Sekretarja britanike për Punët e Jashtme, Liz Truss priti sot në një takim ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Britania e Madhe më parë priti Samitin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2018, ku liderët e gjashtë vendeve morën angazhime në një seri deklaratash të përbashkëta për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, krimet e luftës dhe personat e zhdukur në territorin e ish-Jugosllavisë dhe antikorrupsionin.
“Këto bisedime zhvillohen pasi tensionet në rajon kanë arritur kulmin. Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar ka paralajmëruar se Bosnjë-Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e saj të pasluftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar po punon për të trajtuar çdo kërcënim ndaj stabilitetit pas 26 vitesh përparimi të fituar me vështirësi në Bosnjë dhe Hercegovinë”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Sekretares për Punët e Jashtme, Truss.
Sipas deklaratës, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor u diskutua edhe në takimin e ministrave të Jashtëm G7 gjatë fundjavës në Liverpul.
Sekretarja e Jashtme, Liz Truss tha se Britania e Madhe është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon.
“Ndërsa mbledh në Londër ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, tensionet janë të larta dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të mbrojtur paqen e fituar me vështirësi. Intensifikimi i lidhjeve ekonomike me rajonin është një mënyrë jetike për të krijuar vende pune dhe pasuri, për të siguruar stabilitet dhe për të mbështetur lirinë”, deklaroi Truss.
Më tej, në deklaratën e shpërndarë theksohet se Truss ishte takuar me secilin nga gjashtë ministrat e jashtëm. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga SHBA dhe BE.
“Britania e Madhe i ka kushtuar vëmendje të vazhdueshme punës për pajtimin dhe drejtësinë kalimtare në Ballkanin Perëndimor, si një nga donatorët kryesorë për ndërtimin dhe ngritjen e Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës duke ofruar mbështetje politike, financiare dhe logjistike për Mekanizmin Ndërkombëtar të Mbetur të OKB-së për Gjykatat Penale, dhe financimin e punës së Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Mbretëria e Bashkuar mbështet aspiratat e Ballkanit Perëndimor për integrimin euroatlantik. Pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten të rëndësishme për arritjen e këtij qëllimi dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon”, thuhet në deklaratën e sekretares Truss./Atsh