Gjermania po planifikon të vendosë sanksione ekonomike ndaj Millorad Dodikut, shkruan portali Klix.ba.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Christopher Burger, ka folur për planet e diplomacisë gjermane dhe ministres Annalena Baerbock kur bëhet fjalë për vendosjen e mundshme të sanksioneve për anëtarin serb të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe autoritetet e Republikës Serbe për shkak të aktiviteteve secesioniste.
Në konferencën për shtyp të Ministrisë së Jashtme, gazetarët e pyetën Burgerin se çfarë po konsiderohet konkretisht kur bëhet fjalë për faktin që Millorad Dodik duhet të paguajë çmimin e aktiviteteve secesioniste.
“Pas takimit të së hënës, Annalena Baerbock ka thënë se BE duhet të dërgojë një sinjal të qartë kundër përpjekjeve për shkëputje dhe të sigurojë që politikat shkatërruese të Dodikut dhe Republikës Serbe të mos kalojnë pa pasoja. Ato përfaqësojnë një sulm të rrezikshëm ndaj unitetit të BeH dhe ndaj Marrëveshjes së Dejtonit. Prandaj është e qartë për ne se nuk do të bashkëpunojmë me entitetin që po punon në mënyrë aktive në shkatërrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa ne jemi duke punuar gjithashtu në nivelin e Bashkimit Evropian për të rishpërndarë fondet e projekteve të destinuara për Bosnjën dhe Hercegovinën”, pretendohet në kumtesë të ministrisë.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë në BE, por edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këto janë tema që po diskutohen aktualisht për të vendosur një shenjë të qartë “Stop” për tendenca të tilla të papranueshme secesioniste, Natyrisht, kur do të merren vendime të tilla nuk varen vetëm nga Qeveria Federale e Gjermanisë, por edhe nga koordinimi me partnerët evropianë”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane.
Për sanksionet e mundshme ekonomike dhe çfarë mund të nënkuptojnë ato, foli edhe Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Christian Schmidt, duke theksuar se sanksionet nuk janë instrumenti i vetëm i veprimit.
“Është gjithashtu e imagjinueshme që çdo pagesë që arrin në Bosnje dhe Hercegovinë ose në një nga institucionet e saja të kushtëzohet”, thotë Schmidt.