Kryeshefi i Inspektoratit Policorë të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka folur ekskluzivisht lidhur më punën një vjeçare të IPK-së, raportet e publikuara, inspektimet, suspendimet e zyrtarët policorë të arrestuar.
Përgjatë vitit 2021, IPK-ja ka pranuar rreth 2 mijë ankesa nga të cilat ka arrestuar 34 policë e suspenduar 84.
Kryeshefi Kushtrim Hodaj në një intervistë për Gazetën Insajderi ka shpalosur raportin vjetor ende të papërfunduar por që nga statistikat deri tashme del të ketë rritje të vetëdijesimit të popullit për të raportuar raste në Inspektoratin Policore ku sipas tij vetëm brenda këtij viti kanë pasur rritje 30 për qind të ankesave.
Në intervistë, Hodaj ka folur edhe për dy raporte që janë publikuar nga IPK.
Lidhur me raportin për besueshmërinë e qytetarëve ndaj policisë së Kosovës, Hodaj thotë se mbi 50 për qind e qytetarëve mendojnë se policët janë të korruptuar.
“Mbi 50 për qind e të anketuarve besojnë se ka korrupsion në policinë e Kosovës. Kjo për ne është një alarm që duhet të luftojmë dhe nuk duhet të lejojmë që policia të identifikohet me këtë përqindje kaq të lartë”, ka thënë ai.