“Von Cramon deklarohet për gjithçka që ka të bëjë me Serbinë dhe serbët, përveç kur është fjala për rrezikimin e serbëve në Kosovë, e çfarë ajo duhet ta bëjë para PE-së si raportuese”, ka deklaruar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq për televizionin serb TV Pink.
E pyetur për të komentuar pretendimet e deputetes së Parlamentit Evropian, e cila në Twitter ka shkruar se të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë në Australi dhe se nuk ka hyrje për të pa vaksinuar, duke përfshirë edhe Novak Gjokoviqin.
“Kjo flet mjaft për të, por flet mjaft edhe për ata që krenohen me faktin se ajo është mentorja e tyre dhe që i mbështet”, ka pretenduar Bërnabiq.
Sipas fjalëve të saj, “të gjithë ata që e pështyjnë Novakun e kanë pështyrë edhe Serbinë”.
Bërnabiq ka thënë se Serbia do të vazhdojë ta ndihmojë Novak Gjokoviqin me aq sa mundet dhe vlerësoi se kjo situatë ndoshta ka prapavijë politike, por se nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Australisë, por me fushatën zgjedhore në atë vend. Ajo ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është në kontakt të drejtpërdrejtë me Gjokoviqin dhe familjen e tij dhe se është në kontakt me autoritetet australiane.
Kryeministrja serbe ka thënë se dje ka biseduar në telefon me ministren e jashtme të Australisë, Marise Payne dhe se përsëri e ka lutur që ta transferojë Gjokoviqin në shtëpinë që ka marrë me qira, gjë që nuk ka ndodhur.
“Ne bëmë gjithçka që mundëm dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë me aq sa kemi mundësi. Është detyrë e jona, por edhe obligim dhe dëshirë. Ne po mundohemi të ndihmojmë, këtë e duam, është puna jonë. Ne kemi arritur ta bëjmë diçka dhe do të vazhdojmë të luftojmë”, ka pretenduar Bërnabiq