Safet Maqestena i lindur në vitin 1985 është personi i tretë që humbi jetën si pasojë e aksidentit mes tri automjeteve që ndodhi dje në mëngjes në fshatin Lupç të Podujevës.
Ai ndërroi jetë pas mesnatës në QKUK, ku po trajtohej që nga mëngjesi i djeshëm, mirëpo nuk u mbijetoi dot plagëve.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurorja e rastit është informuar se edhe personi i tretë ka vdekur diku pas orës 00:00. Të tre viktimat janë të gjinisë mashkullore. Me urdhër të prokurores, viktimat janë dërguar për obduksion”, ka thënë Ulaj.
Për vdekjen e tij kanë shkruar miq dhe të afërm të tij.
“‘Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi’. Mësuesi Safet Maqastena, Zoti e mëshiroftë në Xhehnet, ishte një shok, një mik i vërtet”, shkroi njëri nga ta.
Në vendin e ngjarjes dje ndërruan jetë Ruzhdi Uka, i lindur më 1956 dhe A.B., i lindur në vitin 1961.
Tetë të lënduarit e tjerë, në mesin e tyre një shtetas i Austrisë, po vazhdojnë trajtimin mjekësor në QKUK.