Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Shtimes, Reshat Mujota, gjatë ditës së premte është larguar nga kjo parti.
Mujota që dikur ishte pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, sot ka deklaruar se po largohet nga LVV-ja, pasi sipas tij kjo e fundit nuk është e interesuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Kësisoj kryetari i Shtimes nga radhët e LVV-së, Qemail Aliu, i cili pas fitores në zgjedhjet lokale tha se do ta bëjë çlirimin e kësaj komune, ka mbetur pa një asamblist.
Dorëheqjen nga Vetëvendosje, Reshat Mujota, e ka bërë në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Shtimes.
Ai ka treguar edhe arsyet tjera që e shtynë të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të bëhet asamblist i pavarur.
“Kur të thirresh në një meritokraci duhet ta mbash atë. Kur thirresh në bashkëqeverisje duhet ta bësh atë. Nëse nuk u përmbahesh këtyre do të thotë ti e ke gënjyer qytetarin, ti e ke mashtru qytetarin. Tjetra, të gjithë e dini se në fushatë kemi qenë një iniciativë dhe i kemi pasur disa vota pas vetes dhe e kemi dashur ndryshimin. Nuk ka çu peshë se kush do të del i pari, dmth në subjektin e juve kënd e qitni kryetar. Kam pranu me çdo kusht të bëhet ndryshimi në komunën e Shtimes. Jo për arsye që kam urrejtje ndaj PDK-së, sepse edhe kam qenë themelues. Por, më duket se na u tepru edhe nisëm të rritemi pak, edhe në mendje pak, edhe me kriju familjarizëm. Jam largu prej PDK-së, kam aderu te ju, kam ardh te ju. Po jap sqarim për qytetarët e Shtimes, nuk u përmbajtën marrëveshjet, nuk ka meritokraci, po shihet se nuk jeni transparent dhe llogaridhënës”, ka thënë asamblisti Mujota.
Më poshtë gjeni momentin kur Mujota largohet përfundimisht nga partia që udhëheqë me komunën e Shtimes.