Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, ka rekomanduar deputeten Fjolla Ujkani që të ndërmarrë tri veprime në raport me mësimdhënësin nga Vushtrria, Lulzim Paci, të cilin e kritikoi për një vallëzim në rrjetin social “Tik Tok”.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “profesorit publikimin e videove nga ambienti privat, ia garanton e drejta e lirisë së shprehjes”.
Tutje ajo ka thënë se ftesa e Ujkanit që të ndërmerren masa ndaj profesorit dhe shumë arsye të tjera kanë ndikuar që një arsimtar të përjetojë stres të jashtëzakonshëm.
“Ftesa e Ujkanit dhe shumë arsye të tjera kanë ndiku që një arsimtar me përjetu stres të jashtëzakonshëm”.
Gjithashtu Kusari i ka bërë thirrje deputetes së VVS-së që ta fshijë statusin e saj, t’i kërkojë falje arsimtarit në fjalë dhe të sigurohet që në ardhmen mos të bëjë thirrje me aq lehtësi që dikujt t’i kufizohet liria e shprehjes.
“Deputetja duhet me e fshi statusin, me i kërku ndjesë arsimtarit dhe me u siguru që në të ardhmen nuk do të bëjë thirrje me aq lehtësi që dikujt me iu kufizu liria e shprehjes.
P.S arsimtaret duhet të gjykohen për punën e tyre zyrtare e jo për jetën e tyre private”, ka shkruar ndër të tjera Kusari.