Pas një përleshjeje që ka ndodhur në Pallatin e Drejtësisë, të mërkurën, Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar të dyshuarin G.S për sulm dhe kanosje.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Sot nga njësia policore e stacionit Jugu, është arrestuar një i dyshuar për një rast sulmi dhe kanosjeje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15, në Pallatin e Drejtësisë, me ç’rast i dyshuari kishte sulmuar dhe kanosur viktimën”, tha Borovci.
Sipas tij, i dyshuari G.S, pas arrestimit, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit, është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.
“Me qëllim të sqarimin dhe zbardhjes së plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes ndaj tij është iniciuar hetim për veprën penale ”Sulm” dhe “Kanosje”, shtoi Borovci.