Selakoviq: Prishtina nuk e ka përmbushur “pjesën kryesore” të Marrëveshjes

Lajme

Selakoviq: Prishtina nuk e ka përmbushur “pjesën kryesore” të Marrëveshjes

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 15:07
Nikolla Selakoviq

Sot në Beograd është mbajtur takimi trepalësh i Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak  dhe ministrit e jashtëm serb Nikolla Selakoviq.

Me këtë rast, shefi i diplomacisë serbe ka thënë se “Serbia është e vendosur në rrugën e integrimeve evropiane, se është plotësisht e përkushtuar në procesin e reformave dhe përmirësimin e të gjitha segmenteve të shoqërisë serbe” dhe se “shpreson që një angazhim i tillë do të jetë valorizuar duke hapur grupe negociuese”, ka kumtuar Ministria serbe e Jashtme.

Selakoviq gjithashtu ka folur për “përkushtimin serb “të sinqertë” për bashkëpunimin rajonal, ruajtjen e stabilitetit dhe zgjidhjen diplomatike të çështjeve të hapura”, duke pretenduar se paqja dhe stabiliteti janë “interesi më i lartë i Serbisë” dhe kusht për vazhdimin e progresit të saj.

Ata diskutuan edhe për çështjet rajonale, ndërsa ministri Sellakoviq thënë se “Serbia është e qëndrueshme që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve fqinje dhe është e vendosur në qëndrimin se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut politik demokratik”.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ministri serb u ka thënë se “ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun dhe të hapur për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi që do të jetë e pranueshme për dyja palët”.

Sellakoviq ka pretenduar se “Beogradi i ka përmbushur pothuajse të gjitha obligimet nga dialogu, ndërsa Prishtina, edhe gati nëntë vjet pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit, nuk e ka përmbushur pjesën kryesore të saj, që është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ministri “falënderoi” bashkëbiseduesit e tij për angazhimin e tyre personal në këtë proces, por gjithashtu paralajmëroi për “rrezikun e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për ta bërë dialogun të pakuptimtë dhe për të destabilizuar rajonin me lëvizje të njëanshme”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat