Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar suspendimin e komandantit të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NjRSh) në kuadër të policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Uglesha Jarediq.
Në një përgjigje me shkrim nga IPK-ja kanë bërë të ditur se Jarediq dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
“IPK ka pranuar dje informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Mitrovicën e Veriut dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje dhe pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke ndërmarrë disa veprime hetimore”, shkruhet ndër të tjera në përgjigjen e IPK-së.
IPK-ja ka shtuar se në koordinim me prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave që lidhen me këtë rast.