Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot të dërguarin britanik për Ballkanin ser Stjuart Piç, që ka deklaruar se së bashku me partnerët nga BE edhe ShBA do punojë në mbështetjen e dialogut, emërimi i tij është shenjë e qartë se Britania vazhdon të jetë e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe përparim ekonomik në Ballkan.
Vuçiq thuhet se i ka përsëritur qëndrimin e Serbisë për angazhimin në arritjen e zgjidhjes së pranueshme dhe qëndrueshme nga dy palët në dialogun me Prishtinën dhe përkushtimin ndaj dialogut në zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Në këtë kontest Vuçiq shprehu bindjen se i dërguari Piç me përvojën dhe njohjen e rrethanave në regjion do të kontribuoj në mbështetjen e dialogut.
Të dy bashkëbiseduesit kanë trajtuar edhe situatën në regjion dhe ardhmërinë e bashkëpunimit me qëllim ndërtimin e besimit dhe angazhimit të përbashkët për stabilitet të qëndrueshëm.
"Vuçiq përmendi se Serbia është iniciues e disa projekteve që kanë për qëllim ndërlidhjen e regjionit, qasjen përgjegjëse edhe serioze në të gjitha çështjet me rëndësi për bashkëpunimin ndërkombëtar, përparimin ekonomik dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë” thuhet në kumtesë.
Sipas tij një ndër prioritetet e Serbisë në planin e politikës së jashtme është bashkëpunimi regjional përmes “Ballkanit të Hapur”, që mundëson qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit edhe shërbimeve si dhe projekteve të mëdha infrastrukturore që do ndikojnë në rritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve të regjionit.