Niko Peleshi: Shqipëria krah Kosovës nëse cenohet siguria e saj

Lajme

Niko Peleshi: Shqipëria krah Kosovës nëse cenohet siguria e saj

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 17:44
Niko Peleshi

Ministri i Brendshëm Niko Peleshi, në një intervistë për emisionin “Top Talk” ka komentuar ndikimin e tensionit Ukrainë-Rusi në Ballkanin Perëndimor.

Një konflikt i mundshëm në Lindje, do të ndikonte menjëherë në rajonin tonë, sipas ministrit, dhe kjo për disa arsye:

“Nuk po themi që jemi të kërcënuar nga një konflikt ushtarak, jemi dhe larg, dhe afër Ukrainës. Një konflikt i mundshëm ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, ka valët e veta. Dhe ne jemi një ndër vendet më pranë gjeografikisht, por dhe më pranë problemeve politike që shumë vend e të Ballkanit Perëndimor kanë, mund të sjellë një cenim të stabilitetit politik dhe ulje të nivelit të sigurisë në rajonin tonë”.

Disa deklarata nga qeveria ruse, mes të cilave dhe ajo se në Ukrainë ka mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova, Peleshi i cilësoi si shqetësuese, ndërsa shtoi se duhet marrë seriozisht:

“Kemi disa deklarata shqetësuese, të cilat nuk duhet t’i marrim si spontane, duke filluar nga presidenti rus Vladimir Putin, që në takim me kancelarin gjerman Scholz, hoqi një paralele të rrezikshme, sepse u mundua të heqë një paralele, sepse u mundua të sjellë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, në Serbi, në paralel me bombardimet. Ishte diçka shumë ndryshe. Kishte genocid në Kosovë. Kishte filluar spastrimi etnik dhe nuk ka lidhje fare me atë që ndodh në Luhansk dhe Donesk. Janë situata krejt të ndryshme”.

Sipas tij, komentet e presidentit Putin tregojnë shumë për planet e tij. “Nuk e përmend kot Putini apo Lavrov, as Kosovën, as Shqipërinë, as Bosnjën. Lavrov për medien ruse Russia Today ka thënë se ka mercenarë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja”, shprehet ministri i Brendshëm.

Një tensionim i mëtejshëm i situatës në lindje të Ukrainës, sipas Peleshit, do të ndikonte në prishjen e ekuilibrave në rajon:

“Një skenar i mesmë është prishja e ekuilibrave në Bosnjë, natyrisht nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi në një situatë ku shteti i pavarur i Kosovës nuk njihet nga Serbia. Të gjitha këto, në kushtet e një agresioni rus, do të fillojnë të bëhen më keq”.

Por, sa i cenushëm është stabiliteti në rajon aktualisht që po flasim?
“Ballkani Perëndimor është në mes të rrugës që e çon për te stabiliteti i qëndrueshëm. Destinacioni është integrimi i plotë në strukturat euro atlantike. Themi është në mes, sepse asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ka kryer këtë integrim”, përgjigjet ministri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat