Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, teksa ka folur me ironi është shprehur se Beogradi është i dobët dhe ka pyetur se me çka do ta sulmojë Kosovën, ndoshta me pistoleta uji. Ai ka thënë se Ukraina s’duhet të anëtarësohet në NATO.
“Lidershipi serb nuk e dinë çfarë të thonë, janë në zjarr. Beogradi po luan lojë, po presin që rusët të hyjnë në Kiev. Beogradi është i dobët, me çka do të sulmojnë ata, Kosovën? Me çka? Me pistoleta uji? Është koha që Beogradi të vendosë a do t’i bashkohet BE-së. Nëse Vuçiq njeh Donbasin, atëherë njohja e Kosovës duhet të justifikohet. Ata kanë ardhur në një rreth vicioz”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se ndryshe nga Milanoviqi ka respekt të madh për shtetin dhe ushtrinë kroate.
“Është një ushtri shumë e fortë dhe e respektueshme, e cila ende po forcohet dhe po investojnë shumë para. I përgëzoj për këtë”, tha ai.
“Nuk mendoj se kanë merak për pushkët e ujit, ata janë të shqetësuar se sipas të gjitha analizave botërore, Serbia nuk është më e dobët por më e fortë, nuk kemi probleme serioze me ta, përveç kotësisë dhe mosmarrëveshjes së tyre për çështje historike. Ne e kemi atë (Kroacinë) në kufi në Danub, e shikojmë ndryshe, por këto nuk janë çështje që do të çonin në konflikt”, u shpreh ai.