Shqiptaro-ukrainasja që jeton në Angli, Mirabelle Supure tha për “Mirëmëngjes” se e kanë kontaktuar 144 shqiptarë të Kosovës që janë të gatshëm të luftojnë për Ukrainën.
Sipas informacioneve të saj ka grupe shqiptarësh që janë duke u përballur me agresionet ruse.
Ndërkohë për 144 njerëzit që janë zotuar të luftojnë, problemi qëndron te pasaporta e Kosovës, sepse legjislacioni nuk i lejon te luftojnë për një vend tjetër nëse lufta nuk zhvillohet në territorin e tyre, njësoj si në Shqipëri.
Sa i takon vendit tonë, Mirabelle Supure tha se nuk ka dëgjuar asnjë njoftim zyrtar nga qeveria shqiptare se mirëpret refugjatët ukrainas.
Si administratore e një grupi të shqiptarëve në Ukrainë, ajo tha se për djemtë ukrainas që duan të luftojnë ka nevojë për mjete dhe veshje. Supure kërkoi nga autoritetet mbështetje në këtë aspekt.