Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përkujtuar familjen e komandantit legjendar Adem Jashari në 24-vjetorin e rënies heroike.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se beteja epike e familjes Jashari me në krye komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vuri gjakun e 59 dëshmorëve në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.
“24 vjet më parë Jasharët i treguan botës mbarë se çfarë çmimi ka liria për shqiptarin. Sakrifica sublime e familjes Jashari për Kosovën e lirë është akt themeltar i lirisë së Kosovës dhe kombit shqiptar.
Flijimi i tyre skaliti një shembull të përjetshëm frymëzimi për brezat e ardhshëm, për të ruajtur të paprekur lirinë, trojet dhe dinjitetin tonë kombëtar. Nderim përjetë komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, lavdi heronjve të Prekazit legjendar, bijve dhe bijave të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar që derdhën gjakun e tyre në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë!”, ka shkruar Basha.