Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nëse Kosova pranohet në organizatat ndërkombëtare, “do të përballen me një përgjigje të fortë dhe efikase nga Beogradi, e cila do t’i habisë”.
I pyetur për iniciativat për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “ka disa këndvështrime për të perceptuar këtë situatë, e njëri është se shumica shohin mundësin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në zgjidhjen globale”.
Ai theksoi se teksti në Guardian, i cili është një hyrje për ide të ndryshme, “tregon se çfarë krejt mund t’ju bie ndërmend disa politikanëve”.
Ai ka pretenduar se sheh se shumica duan një pranim të përshpejtuar të Kosovë në organizatat ndërkombëtare.
“Mesazhi im, pa hyrë në të gjitha detajet, megjithëse ne jemi duke analizuar gjithçka në detaje, është se nëse ata fillojnë me këtë, do të befasohen nga përgjigja e fortë dhe efikase e Serbisë. Nëse Kosova hynë në organizatave ndërkombëtare, kjo do të thotë prishje e marrëveshjes së Uashingtonit. Atëherë do të merrni vesh për disa vende që tërhoqën njohjen”, shpjegoi Vuçiq.
Ai ka thënë se “i lutet të gjithëve që të veprojnë me përgjegjësi, e jo me papërgjegjësi”.
“Nëse ata veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme, ne do të përgjigjemi seriozisht dhe me përgjegjësi”, kërcënon edhe një herë Vuçiq.