Qytetarët e Shqipërisë me bidona në pikat e karburantit të Ulqinit

Lajme

Qytetarët e Shqipërisë me bidona në pikat e karburantit të Ulqinit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 12 mars 2022 Në ora: 15:35
Pamje nga vendi i ngjarjes

Për shkak të rritjes rekord të çmimit të karburantit në Shqipëri, i cili ka shkuar nga 1.5 në 2.20 euro ditët e fundit, shtetasit e vendit fqinj kalojnë prej disa ditësh pikën kufitare Sukubin-Muriqan dhe mbushën karburant në pikat më të afërta të karburantit në Katërkollë, ku çmimi është më lirë. Dje dhe sot kërkesa për karburant ka qenë shumë më e ulët, pasi çmimi i karburantit në Shqipëri, siç na thanë drejtuesit e makinave që gjetëm në pikat e karburantit në Katërkollë, ra me rreth 30 -40 cent për litër. Por edhe kështu, disa shtetas shqiptarë vazhdojnë të kalojnë kufirin dhe të mbushin cisternat dhe bidonat plot. Këtë e vërteton edhe fotoja jonë, ku shihen bagazhe të hapura me shumë bidona nga shteti fqinj.

Shoferi i veturës nga fshati Muriqan afër Shkodrës na tha se ka ardhur së bashku me djalin e xhaxhait për të blerë karburant në Katërkollë, për të kursyer deri në 70 euro për njëqind litra. “Të enjten një litër karburant në Shkodër ishte 2.20 euro, ndërsa këtu në Mal të Zi çmimi është rreth 70 centë më lirë. Prandaj kam ardhur pardje te blej benzinë. Mbusha rezervuarin dhe disa bidona dhe kështu kurseva 70 euro për njëqind litra karburant. Sot jam këtu me djalin e xhaxhait për të blerë edhe ai karburant, edhe pse çmimet e derivateve të naftës në vendin tonë që nga dje kanë rënë ndjeshëm deri në 40 centë”, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Një tjetër qytetar nga shteti fqinj pasi ka mbushur rezervuarin e veturës së tij dhe bidonat prej pesë deri në 15 litra na tha se përveç derivateve të naftës në Ulqin blejnë edhe miell dhe vaj në sasi më të vogël. “Ne kemi paguar karburantin më të shtrenjtë në Evropë, ndaj jemi të detyruar të furnizohemi nga vendet fqinje ku karburantet janë shumë më lirë se në vendin tonë. “Për shkak të rritjes drastike të çmimit të karburanteve në Shqipëri, ne do të vazhdojmë të blejmë karburant dhe produkte të tjera ushqimore në Mal të Zi derisa çmimet tona të stabilizohen”, tha ai.

Ata janë shumë të zemëruar me vendin e tyre dhe kryeministrin e tyre, të cilët, siç thonë ata, nuk e marrin parasysh standardin shumë të dobët të qytetarëve të tyre.

Shqipëria ka tre ditë që proteston kundër rritjes së çmimeve. Në Tiranë pati protesta, por ato u përhapën edhe në qytete të tjera pasi sipas mediave vendase, rritjet e çmimeve nuk janë pasojë e luftës në Ukrainë, por abuzimi i tregtarëve dhe kompanive të mëdha të karburanteve. Protestat masive kundër rritjes së çmimeve në Shqipëri, sipas mediave të tyre vazhdojnë edhe sot.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat