Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se flitet që Kosova do të jetë anëtare e NATO-s, por se nuk është i sigurt se do të merret një vendimi i tillë.
Duke komentuar intervistën e ish-zëdhënësit të NATO-s Jamie Shea se kanë mbetur edhe katër vende të që duhet të pajtohen që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, Vuçiq tha se Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Greqia “së pari duhet ta njohin Kosovën si shtet të pavarur në mënyrë që ajo të bëhet pjesë e NATO-s”.
I pyetur për dislokimin e brigadave raketore, Vuçiq ka thënë se dislokimi i ushtrisë është çështje e Serbisë.
Ai thotë se “garanton paqen dhe stabilitetin”, lidhur me akuzat e zyrtarëve kosovarë se Serbia do të provokojë konflikt në Kosovë nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës.
Vuçiq ka pretenduar se sulme të tilla vijnë edhe nga vendet fqinje të rajonit, për shkak se “Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë”, lidhur me kërkesën për harmonizimin e politikës së jashtme me BE-në.
“Kush nuk mund ta sulmojë Rusinë, po e sulmon Serbinë. Këtë nuk e bëjnë nga BE-ja, e bëjnë shërbëtorët e tyre të ndryshëm. Sidomos ka presione nga rajoni, për shkak se Serbia është e fortë, sepse Prishtinës i shkon për shtati vetëm një Serbi e dobët, e po ashtu edhe Sarajevës, Zagrebit dhe Podgoricës. “Sa i përket Serbisë, unë ju garantoj paqe dhe stabilitet”, ka thënë Vuçiq.