Gjatë një seance përgatitore javën e kaluar, Veljko Belivuk, një kriminel i dyshuar serb, u ofrua të jetë dëshmitar i mbrojtjes në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Ndonëse emri i tij ka qenë i lidhur edhe më parë me rastin e Ivanoviqit, lind pyetja se çfarë njohurish ka ai për këtë rast, duke qenë se kreu i dyshuar i një grupi kriminal në Serbi, gjatë kohës së vrasjes së Ivanoviqit ndodhej në vuajtje të paraburgimit për një vrasje tjetër.
Veljko Belivuk, javën e kaluar është ofruar të jetë dëshmitar bashkëpunëtor në rastet e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, vdekjes së Vladimir Cvijanit dhe rrënimeve në lagjen ‘Savamala’ në Beograd.
Siç shkruan gazeta serbe “Danas”, Belivuk – kreu i grupit të krimit të organizuar, i akuzuar për pesë vrasje, trafik droge, armëmbajtje pa leje, rrëmbim dhe përdhunim – tha se ishte i gatshëm të dëshmonte në lidhje me rastet e mësipërme si dëshmitar i bashkëpunëtor, nëse të gjithë anëtarët e grupit të tij, përveç tij dhe Marko Miljkoviq, do të lirohen.
Megjithatë, mediat serbe kanë raportuar sot se ai ndodhej në paraburgim për një vrasje tjetër në kohën kur ishte kryer vrasja e Ivanoviqit në veri të Kosovës dhe vdekja e dyshimtë e Vladimir Cvijanit.
Lideri i Iniciativës Qytetare – SDP, Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 dhe as katër vjet pas vrasjes nuk dihet se kush e urdhëroi krimin që tronditi veriun e Kosovës.
Nga 16 janari 2018 e deri më sot, autoritetet, as të Kosovës e as të Serbisë, nuk kanë arritur ta zbardhin vrasjen e Ivanoviqit.
Ndonëse në ambientet e partisë së tij ishin vendosur kamera, ato nuk punonin në momentin e vrasjes.