Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka reaguar pas suspendimit të gjyqtares serbe nga Mitrovica që mori pjesë në takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Vulin siç shkruan B92 ka thënë se Serbia është një hap drejt përfshirjes në luftë me Kosovën apo konflikt siç e ka quajtur ai.
Tutje ai një shkarkim të tillë e ka konsideruar “provokim të përmasave të mëdha”.
“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin.
Krahas, Vulinit, një reagim më i ashpër ndaj këtij vendimi ka ardhur edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai sot ka thënë se me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është shkarkuar kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Biljana Stevanoviq.
Në një video të publikuar në Instagram, Vuçiq u shpreh se me vendimin e shefit të Qeverisë së Kosovës, Kurti synon t’i sulmojë serbët kudo që janë.
“Me vendim të tij, ai synon të sulmojë serbët kudo që janë. Pro çka do që të bëni, Serbia është me popullin e saj”, tha ndër të tjera ai.
Sot, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq.
Një vendim i tillë u bë i ditur në një komunikatë nga kjo instancë e drejtësisë, teksa u tha se suspendimi i saj vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”.
“Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.