Në Komunën e Ulqinit, me shumicë shqiptare të dielën u mbajtën zgjedhjet vendore, në të cilat garuan 5 lista zgjedhore.
Partitë politike shqiptare garuan të ndara në tri lista zgjedhore, kurse për herë të parë ishte formuar një koalicion parazgjedhor nga dy partitë politike shqiptare, Partinë Demokratike dhe Alternativën Shqiptare me tri partitë e spektrit politik qytetar, në mesin e të cilëve gjendet edhe Lëvizja Qytetare “URA” e mandatarit për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Përballë këtij koalicioni garojnë të ndara Forca e Re Demokratike, koalicioni i Unionit Demokratik i Shqiptarëve bashkë me Lidhjen Demokratike dhe Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviq.
Procesi zgjedhor në Komunën e Ulqinit ishte i qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar.
Para mbylljes së kutive të votimit, vëzhguesja Arbijana Haxhibrahimi tha për Zërin e Amerikës se “çdo gjë po shkon sipas parashikimeve dhe jena një ekipe e mjaftueshme me detyrat e caktuara dhe vëzhgimi është në nivelin e duhur”.
Zgjedhjet për komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi, cilësohen si tejet të rëndësishme për këtë komunitet pasi forcat politike shqiptare, që nga fillimi i pluralizmit në Mal të Zi, e kanë mbajtur pushtetin në Komunën e Ulqinit. Përjashtim ishte vetëm mandati i kaluar, ku partitë politike shqiptare krijuan koalicion të gjerë paszgjedhor me Partinë Demokratike Socialiste të presidentit aktual Milo Gjukanoviç./VOA