Vrasja e Oliver Ivanoviq, reagon avokati serb, tregon si ka mundur të kryhet ekzekutimi

Lajme

Vrasja e Oliver Ivanoviq, reagon avokati serb, tregon si ka mundur të kryhet ekzekutimi

Më: 29 mars 2022 Në ora: 15:16
Oliver Ivanoviq

Avokati Aleksandar Ivanoviq, kushëriri i politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka komentuar gjetjet e reja që ndërlidhen me ekzekutimin e politikanit nga Mitrovica në vitin 2018.

Kushëriri i Oliver Ivanoviqit tha se krimi nuk mund të jetë kryer pa ndihmën e një “serbi me ndikim”.

Pasi Boban Bogdanoviq, një mik i kriminelit të vrarë serb, Aleksandar Gligorijeviq – Puki, tha se pas vrasjes së Oliverit qëndronin grupet kriminale të Veljko Belivukut dhe Zvonko Veselinoviqit, dhe se krimi është kryer nga Ljubomir Lainoviq, për informacionet është njoftuar edhe familja e politikanit të ndjerë serb të Kosovës.

Kushëriri i Ivanoviqit, në një bisedë për portalin Nova.rs, tregoi se organet kompetente janë të obliguara të reagojnë ndaj këtyre informatave.

“Do të ishte shumë e rrezikshme që organet kompetente të mos reagonin ndaj këtyre pretendimeve. Më duhet ta pranoj që zotërinë nuk e njoh, intervistën e kam parë dy herë, por disa nga përshtypjet e mia janë se ajo që ai thotë është bindëse. Nëse kjo është e vërtetë ose jo, do të duhet të përcaktohet nga autoritetet”, tha avokati Aleksandar Ivanoviq të martën.

Boban Bogdanoviq, që merret me sport dhe që ka lidhje me disa figura kriminale në Beograd, në një intervistë ër mediat serbe, ka thënë sot se vrasësi i politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, është Lubomir Lainoviq nga Novi-Sadi, e urdhëruesi i vrasjes, biznesmeni kontrovers nga Kosova, Zvonko Veselinoviq, ka shkruar të martën medium i pavarur serb “N1”.

Bogdanoviq gjatë intervistës për emisionin “Krik”, tha se e ka amanet nga shoku i tij i vrarë, Aleksandar Gligorijeviq, që të zbulojë për publikun vrasësin e politikanit kosovar.

“Më 7 mars 2020, ishte ndeshja e parë e raundit pranveror të Tekstilcit, në të cilën isha i ftuar si mysafir nderi dhe pas lojës u ulëm me Aleksandrin (Gligorijeviq). Folëm për diçka për të cilën nuk e kisha ëndërruar se do të flisnim. Aleksandri më tha kush janë organizatorët, kush është porositësi dhe kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”, tha Bogdanoviq, përcjell “N1”.

Oliver Ivanoviq, i cili kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut, është vrarë më 16 janar të vitit 2018. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat