Seferi: Ja pse Vuçiq dëshiron t’i kalojë zgjedhjet qetë

Lajme

Seferi: Ja pse Vuçiq dëshiron t’i kalojë zgjedhjet qetë

Më: 31 mars 2022 Në ora: 21:51
Idro Seferi

Gazetari Idro Seferi, që është korrespodent tash e shumë vjet në Beograd, ka thënë se fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi ka nisur me refuzimin e Kosovës për të lejuar mbajtjen e tyre edhe në territorin e saj.

“Sigurisht që ka qenë një nga temat e rëndësishme të fushatës parazgjedhore dhe duhet thënë që fushata në Serbi ka filluar me refuzimin e Kosovës për të votuar, për shkak se deri në ato momente kemi qenë të zënë me qëndrimin rreth Ukrainës ku Serbia fillimisht mbante politikën e saj të vjetër derisa pati edhe një moment kur u detyrua që të votojë në OKB kundër Rusisë. Në një formë [Aleksandar] Vuçiq kishte një fushatë paralele, por jo në funksion të presidentit të shtetit, gjithsesi ai shumë gjatë e shfrytëzon këtë çështje”.

“Ajo që është dukur, të paktën në Serbi, është që Serbia në aspektin diplomatik kaloi më mirë me çështjen e zgjedhjeve në Kosovë sepse pati lëvdatë nga vendet e QUINT-it, por në anën tjetër pati edhe tension mjaft të madh me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me serbët e Kosovës dhe përfaqësuesit e Quint-it në të njëjtin moment”.

Ai deklaroi se nuk ka pritur që Serbia të jetë më e ashpër në insistimin që zgjedhjet e 3 prillit të mbahen edhe në Kosovë për shkak që Serbia dhe presidenti i saj janë nën ‘llupën’ e ndërkombëtarëve për shkak të qëndrimit në një mënyrë pro Rusisë.

“Në këto momente besoj se [Aleksandar] Vuçiq dëshiron t’i kalojë zgjedhjet qetë dhe të mos përmendet për konflikte edhe për faktin që është nën vëzhgim edhe për shkak të qëndrimit ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Serbia është njëkohësisht është në një dyzim diplomatik çfarë të bëjë pas zgjedhjeve, pasi priten të shtohen presionet për sanksionet e mundshme. E vetmja gjë që mund të bënte ishte që të pranohej kërkesa, që u paraqit si e serbëve të Kosovës, për vendime më radikale si tërheqje nga institucionet në Kosovë dhe mundësi bllokimi më pas siç jemi mësuar ta shohim në vitet e shkuara”.

Por, a e shfrytëzuan këtë qëndrim ‘më të zbutur’ të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, partitë që e bëjnë opozitën në Serbi?

“Përveç presidentit Vuçiq shumica e kandidatëve për president kanë të paktën nga një videospot i cili lidhet me Kosovën dhe ai që shihet si kundërkandidati më serioz  Zdravko Ponosh, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në Serbi, e ka një videospot ku flet për mbrojtjen e Serbisë nga bombardimet e NATO-s, një justifikim që e ka për akuzat që janë bërë nga partia e Vuçiq që nuk ka qenë në lufdtë në Kroaci”.

“Ka një lloj pretendimi nga një pjesë e opozitës për tradhti nga Vuçiq edhe për këto që janë arritur deri më tani në dialog me Kosovën. Kjo sigurisht që Vuçiqit i ndikon pjesërisht në numër të votave, për shkak se shumica e votave nga Kosova shkojnë për të por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Serbi e ka mundësuar që në Bujanoc, Rashkë dhe qytete të tjera të Serbisë serbët e Kosovës të mund të votojnë. Pres që ditën e diel një nga temat në media sigurisht të jetë edhe pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në qendrat e votimit në Serbi, dhe një mobilizim shumë i madh për të treguar mesazhin që serbët s’i ndal asgjë që të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi”.

Seferi ka folur edhe për qasjen e kundërkandidatëve të Vuçiqit, që synojnë postin e të parit të shtetit, karshi Kosovës për shumicën e të cilëve thotë se ose kanë qëndrim të njëjtë me presidentin aktual serb ose edhe më radikal se kaq.

“Sigurisht që shumica e kundërkandidatëve të Aleksandar Vuçiqit, përveç grupit që nuk ka kandidaturë për president që i përket Lëvizjes së Gjelbër e që janë ata që bllokuan Serbinë në dhjetor dhe janar me protestat e mëdha kundër qeverisjes së Vuçiqit, të tjerat shumica ose kanë qëndrim që Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe se me dialog mund t’i ofrohet Kosovës një autonomi ose kanë edhe qëndrime më radikale sesa vetë presidenti Vuçiq”.

“Një pjesë e madhe e opozitës në Serbi hezitojnë të deklarohen rreth çështjes së Kosovës, përveç Grupit të Gjelbër që duket se janë më liberalë por që nuk merren shumë në fushatën e tyre me çështjet rajonale dhe janë të fokusuar drejt të bëmave të pushtetit të Vuçiqit gjatë këtyre 10 vjetëve”.

Gazetari Idro Seferi ka treguar edhe për hulumtimet e fundit të opinionit publik në Serbi në të cilat Aleksandar Vuçiq ka dalë me përqindje më të madhe sesa opozita në total.

“Besoj që Aleksndar Vuçiq fitoren për president do ta ketë të sigurtë, megjithëse tentimet e opozitës janë që të shkojë në raund të dytë në mënyrë që të zbusin rezultatin e këtyre zgjedhjeve derisa edhe referendumi i janarit ka treguar që në disa zona, si Beograd, beteja do të jetë mjaft e ngushtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat