Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë ndaj u.d. së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, gjegjësisht të pandehurit H.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri H.G., ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 euro.
“Nga muaji Shtator 2021 e deri në muajin Dhjetor 2021, në Ferizaj i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete,
në atë mënyrë që në pompën e derivateve ‘HIB Petrol’ e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës Hunday, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 euro, me çka ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.