Tashmë janë mbyllur vendvotimet në Serbi, ku qytetarët atje kanë votuar për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.
Sipas gazetarit shqiptar në Beograd, Idro Seferi, procesi ka kaluar kryesisht mirë, por ka pasur edhe manovrime për incidente mes aktivistëve të partive politike, madje edhe është rrahur kryetari i Lëvizjes Qytetare PSG.
Seferi tha se në këto zgjedhje, mobilizimi i qytetarëve ishte i madh, teksa shtoi se shumë njerëz kanë ngelur brenda edhe pas orës 20:00, të cilët e kanë shfrytëzuar mundësinë që të votojnë, e kjo sipas tij, nënkupton se rezultati i zgjedhjeve mund të jetë ndikuar si shkak i interesimit të madh të qytetarëve deri në këto orë.
“Favorit ka qenë presidenti Vuçiq, por është herët të flitet për Exit-Polle, ku zakonisht në Serbi deri në orën 23:00 dihen rezultatet e zgjedhjeve, por pikëpyetja e këtyre zgjedhjeve është se sa ngushtë mund të ketë fituar Vuçiq për president dhe partia e tij për Parlamentin e Serbisë”.
“Dhe pyetja është se a ka arritur t’i fitojë të gjitha qytetet ku janë mbajtur zgjedhjet lokale dhe bëhet fjalë për një garë të pretenduar për opozitën në Beograd e cila do të shkaktonte mjaft nervozizëm dhe do të kishte ndikim në politikën e ardhshme qeverisëse të presidentit Vuçiq”, është shprehur Seferi.
Sa i përket daljes në votime, Seferi tha se ai s’ka parë thirrje kaq të mëdha për të dalë në votime, teksa deri në dy orë para mbylljes së qendrave të votimit, në zgjedhje kanë dalur mbi 50 për qind e votuesve, ku shtoi se fakti që kanë ngelur ende shumë njerëz brenda qendrave të votimit tregon se mund të ketë lëvizje në rezultat.