Në Ditën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për ndërgjegjësimin e Minave, sot në Parkun e Lirisë në Ferizaj është mbajtur një aktivitet, në të cilën është bërë demolimi i një mjeti ekskluziv.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përfaqësues nga komanda e FSK-së, përfaqësues të organizatave tjera të deminimit në Kosovë, si dhe një ekip i EOD-së nga KFOR-i.
Drejtori i Qendrës koordinuese për deminim, Ahmet Sallova, ka thënë se prania e mjeteve të pashpërthyera në zonat e prekura, vështirëson gjendjen ekonomike të banoreve për shkak të mos përdorimit të tokave bujqësore.
Sallova: Prania e minave vështirëson edhe gjendjen ekonomike të banoreve
“Prania e vazhdueshme e zonave të minuara dhe mjeteve të pa shpërthyera në zonat e afektuara në to nuk përben vetëm një rrezik për jetën e banoreve, por vështirëson edhe gjendjen ekonomike të tyre, për shkak të mos përdorimit të këtyre tokave bujqësore dhe zonave malore. Andaj evitimi i rrezikut nga minat dhe mjetet ekskluzive të pashpërthyera është një parakusht për ndërtimin e vendit dhe shfrytëzimin e resurseve të saj natyrore dhe ekonomik," tha ai
Sallova ka thënë se prej vitit 1999 janë demoluar mbi 92 mijë mina dhe se ekzistojnë edhe 74 zona të cilat do të pastrohen në vitet në vijim.
Sallova: Nga 1999 janë pastruar mbi 59 milionë metra katrorë
“Prej vitit 1999 janë pastruar mbi 59 milionë metra katrorë dhe janë gjetur dhe demoluar mbi 92 mijë mina dhe mjete ekskluzive të pashpërthyera... Përveç operacioneve të rregullta të zonave të rrezikshme, FSK, po ashtu zhvillon edhe operacione të EOD-së, ku është në gjendje gatishmërinë 24 orë në shtatë ditë me dy ekipe kujdestare... Ende ne Republikën e Kosovës ekzistojnë 74 zona të cilat do të pastrohen në vitet në vijim”, tha ai.
Zëvendëskomandanti i Gardës kombëtare, kolonel Shaip Haziri, ka thënë që njësitë e deminimit kanë arritur të pastrojnë mbi 40 lokacione të ndryshme duke gjetur mbi 4 mijë mjete të pa shpërthyera.
Haziri: Njësitë e deminimit kanë arritur të pastrojnë mbi 40 lokacione të ndryshme
"Deri me tani njësite tona të deminimit kanë arritur sukses të pastrojnë mbi 40 lokacione të ndryshme, duke gjetur mbi 4 mijë mjete të ndryshme të pashpërthyera... Ne jemi të përkushtuar që kapacitetet tona specialistike, pavarësisht rrezikut ndaj minave do të angazhohemi në pastrimin e këtyre zonave të minuara për të ofruar kujdes dhe siguri për jetë për qytetarët”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se për 21 vjet janë shkatërruar mbi 100 mijë mjete të rrezikshme, ndërsa kanë mbajtur edhe ligjërata në shkolla me nxënësit, jo vetëm kundër minave por edhe mjeteve piroteknike.
Mehaj: Janë detektuar mbi 100 mijë mina e mjete të tjera të rrezikshme
"Heronjtë tanë pas 21 vjetëve detektuan dhe shkatërruan mbi 100 mijë mina e mjete të tjera të rrezikshme... Me ligjërata dhe mbështetje në shkollat e Republikës së Kosovës për vetëdijesimin e fëmijëve tanë jo vetëm kundër minave, por edhe mjeteve piroteknike, kompania deminim ka arritur të edukojë rreth 50 mijë nxënës në rreth 1000 shkolla", tha ai.
Ministri Mehaj ka vizituar edhe kompaninë e deminimit të FSK-së dhe organizatat e tjera për t’i parë pajisjet e tyre dhe kapacitetet që posedojnë.