Petkoviq ka disa fjalë për ngjarjet në veri të Kosovës

Lajme

Petkoviq ka disa fjalë për ngjarjet në veri të Kosovës

Më: 15 prill 2022 Në ora: 18:07
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi institucionet e Kosovës drejtuan gishtin kah Serbia për sulmet e njëpasnjëshme kundër Policisë së Kosovës në këto tri ditë në veri të vendit. 

Në tentativën për ta paraqitur vendin e tij si paqedashës, Petkoviq u bëri thirrje “të gjithë aktorëve në Prishtinë që të përmbahen nga spekulimet e papërgjegjshme dhe jo të besueshme për ngjarjet në Zubin Potok”.

Petkoviq shtoi se deklaratat e tilla të krerëve të Kosovës “mund të rrezikojnë stabilitetin në terren”. 

“Sulmet e orkestruara ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar para përfundimit të hetimeve vënë në pikëpyetje motivin e këtyre ngjarjeve. Beogradi zyrtar është i vendosur në mënyrë të palëkundur për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë sepse serbët nga Kosova e dinë më së miri vlerën e paqes”, ka shkruar ai në Twitter. 

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka cilësuar si “terroriste” sulmet ndaj Policisë së Kosovës. Në një konferencë të përbashkët për media me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ata bënë të ditur se në njërin prej sulmeve dyshohet që të shtënat erdhën nga territori i Serbisë. Presidenca dhe kryeministri Kurti fajësuan Serbinë dhe strukturat kriminale për këto sulme, derisa iu bë thirrje Serbisë që të distancohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat