Debati mes kandidatëve për kryetar të Sllovenisë, Janez Jansha dhe Robert Golobi, ka vazhduar edhe mbrëmë, pas publikimit të aferës financiare të këtij të fundit, ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe ambasadori Martin Berishaj.
Ndonëse nuk e ka përmendur ambasadorin nga Kosova, kryeministri aktual i Sllovenisë, Janez Jansha, e ka pyetur mbrëmë kundërkandidatin e tij, Robert Golob, se nga është duke u financuar.
“E gjithë Lubjana është ndriçuar nga posterët e një partie të krijuar rreth një muaj më parë dhe nuk ka asnjë deputet, kryetar apo këshilltar komunal. Sipas ligjit slloven, votat elektorale në zgjedhjet lokale dhe parlamentare janë burim i financimit të partive. Pra, nga erdhën gjithë këto para?”, e ka pyetur Jansha – Golobin në një debat televiziv.
Vlen të përmendet se Jansha dje ka shpërndarë edhe një deklaratë të gazetarit Bojan Pozhar, i cili tha se Sllovenia dhe Ballkani po “dridhen” nga afera për shpëlarjen e parave mes Berishajt e Golobit.
Ndërkohë, televizioni slloven, Planet Tv, të mërkurën raportoi se rreth 600 mijë euro cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni për t’iu dorëzuar Golobit dhe se rolin e “mushkës” ose të transportuesit të parave e kishte kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.
Sipas këtij televizioni, në xhirollogarinë MB Consulting, në pronësi të Berishajt të regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj.
Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN-I (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania serbe ka marrëveshje për këshillime.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili ka paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, në një përgjigje ndaj një gazetari, fillimisht e cilësoi si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.
Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.