Diplomati serb Sreçko Gjukiq ka deklaruar sot se presidenti rus Vladimir Putin, duke deklaruar se vetëvendosja dhe pavarësia e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut (RPD dhe RPL) bazohen në precedentin e Kosovës, në fakt ka deklaruar se e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Putin ka thënë se RPD dhe RPL u bënë të pavarura në analogji me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për situatën në Kosovë, e cila u mbështet nga të gjithë.
“Putini në fakt ka deklaruar se e njeh pavarësinë e Kosovës dhe gjithçka që Kosova dhe sponsorët e saj kanë bërë për këtë”, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” Sreçko Gjukiq, ish-ambasadori serb në Minsk dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Sipas tij, precedenti njihet si pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe këtyre fakteve të paraqitura dje, duhet shtuar se pala ruse në vitin 2008 iu referua precedentit të Kosovës në rastin e shpalljes së pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe njohjes së tyre nga Moska.
“Me këtë veprim, Moska ndoshta ka ndërmarrë një hap vendimtar në njohjen e Kosovës dhe sigurisht për ta lehtësuar pozitën e Uashingtonit dhe gjithë Perëndimit për zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë Gjukiq.
Ai ka shtuar se Beogradi, si shumë herë, mbetet në binarin historik të moskuptimit të interesave dhe marrëdhënieve të të mëdhenjve, duke ndjekur politikën e dy-tri karrigeve, e cila përfundimisht u shndërrua në “politikën e të verbrit”.