Kancelari gjerman Olaf Sholc të mërkurën në takimin me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti ka ftuar edhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ka njoftuar kabineti i kancelarit gjerman, shkruan gazeta “Novosti”, transmeton “Bota Sot”.
Kjo gazetë lajmin për takimin me Kurtin e Vuçiq dhe ftesën për Lajçakun e ka nisur me mbi titullin se “Gjermania do donte të qepte kapelën popujve të Ballkanit”
Lajmi është konfirmuar përmes kumtesës së kabineti të kancelarit gjerman Sholc, ku thuhet se: Kancelari Sholc në prani të Lajçakut fillimisht do të ketë takime të ndara me presidentin e Serbisë Vuçiq dhe me kryeministrin e Kosovës Kurti.
Pas takimeve të ndara, sipas programit do të ketë edhe konferencë të përbashkët për gazetarë.
Nga kabineti i kancelarit Sholc është kumtuar se bisedimet me liderët e dy vendeve kanë qëllim mbështetjen e dialogut mes Prishtinës edhe Beogradit.
Në mbrëmje të po kësaj dite, i dërguari i BE-së Lajçak do të ketë takime me Kurtin dhe me Vuçiqin.