Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, u pyet për largimin e shkrimtarit Adem Gashi nga kjo parti.
Por Abrashi pohoi se nuk i kujtohet se kush është Gashi i cili sot njoftoi se po largohej nga kjo parti pas katër vjetësh.
“Unë për besë tash po e dëgjoj për herë të parë këtë. Nuk e kam dëgjuar, prandaj nuk e di se si ta komentoj. Adem Gashi?”, ka thënë Abrashi.
“Për momentin jo. Nuk po më kujtohet. Shiko, Lëvizja Vetëvendosje tash është subjekti më i madh politik në vend. Nëse nuk gaboj, i kemi diku mbi 51 mijë anëtarë, dhe besoni që kësi rasti është thuajse teknikisht e pamundur që edhe t’i njoh të gjithë porse edhe ta konfirmoj vërtetësinë apo pavërtetësinë e një lajmi të tillë”.
Megjithatë, në fund Abrashi tha se të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë të rëndësishëm pavarësisht se a i njeh ai apo jo.
Gashi i cili u intervistua pak minuta më vonë nga Klan Kosova, u përgjigj me shumë sportivitet, kur iu kumtua se Abrashi s’e kishte njohur.
“Unë e njoh Abrashin, e kam përcjellë dhe i di qëndrimet e tij publike, nuk më lëndon aspak qëndrimi i tij”.