Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se pret intensifikim të presioneve ndaj Serbisë, pas bisedës së tij me Putinin, dhe se këto presione para se gjithash do të reflektohen në Kosovë.
Vuçiq ka thënë se ”Serbia jeton çdo ditë me këto presione, sepse është një nevojë e jashtëzakonshme që të gjithë ta udhëheqin politikën e Serbisë” dhe, ironizon ai, “të gjithë e dinë më së miri se cila duhet të jetë ajo politikë”.
“Nuk është e lehtë të thuhet se sa do të mund të durojmë duke ndjekur një politikë të pavarur, sovrane, por nuk ishte e lehtë as 90 ditë më parë, kështu që arritëm të mbajmë të njëjtin pozicion për 90 ditë si në ditën e parë të “konfliktit” në Ukrainë”, ka pretenduar Vuçiq.
Ai ka thënë se presionet para së gjithash do të kenë të bëjnë me Kosovën, “në mënyrë që çështja të mos mbetet precedent”.
“Sepse ata duan të thonë se kjo nuk mund të jetë rasti për të tjerët, se ky është një rast sui generis dhe prandaj është e rëndësishme të detyrohet Serbia të bëjë një marrëveshje për shqiptarët sa më shpejt të jetë e mundur, nëse është e mundur në radhë të parë për pavarësinë, sepse kjo zgjidh të gjitha problemet në marrëdhëniet e ardhshme dhe forcoi pozicionin e perëndimit ndaj Rusisë”, ka thënë Vuçiq.
Nga ana tjetër, ai ka theksuar se Serbia askund nuk do të ketë mirëkuptim të mjaftueshëm dhe askush nuk do ta kuptojë mirë “pozitën e vështirë” të Serbisë.
“Prandaj është e rëndësishme që ta mbajmë qëndrimin tonë dhe deri më tani e kemi ruajtur dhe duruar”, tha Vuçiq.