Sot në mëngjes ndodhi edhe një provokim i klerikëve serb në qendër të Prishtinës. Ata me një numër serbësh deshën ta hapin kishën e “Krishtit Shpëtimtar”, e cila gjendet në pronën kontestuese të Universitetit të Prishtinës dhe nuk funksionon. Ata, siç thonë, deshën t’i luten Zotit për “popullin e vuajtur serb në Kosovë”.
Famullitari ortodoks i Prishtinës, Stanisha Arsiq, ka deklaruar për portalin në gjuhën serbe “KosovoOnline” se sot në mëngjes Policia e Kosovës ua ndaloi të kryejnë liturgji në kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë.
“Sot rreth orës pesë e gjysmë, klerikët nga kisha e Shën Nikollës janë nisur për të shërbyer liturgjinë e shenjtë me rastin e ditës së shpëtimtarit në kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, mirëpo pasi një polic na legjitimoi, ai na ndaloi ta zhbllokojmë kishën, afër nesh ishte një korodon prej tetë policësh, ndërsa në anën tjetër vumë re edhe dy vetura të tjera me policë, për të na penguar të mbajmë liturgjinë”, ka thënë Arsiq.
Ai shprehet se priftërinjtë dhe besimtarët u detyruan të kthehen në kishën e Shën Nikollës pas ndërhyrjes së policisë.
“Pasi na i kontrolluan dokumentet, u desh të ktheheshim në kishën e Shën Nikollës. Tashmë e kemi njoftuar peshkopin Teodosije për rastin dhe u detyruam të mbajmë liturgjinë në kishën e Shën Nikollës”, ka thënë Arsiq.