“Nuk kam dyshim se von Cramon e di nëse Qeveria e Kosovës ka apo jo propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacion, sepse ajo është lobiste e tyre, por çdo gjë nën atë çfarë është nënshkruar në marrëveshjen e Brukselit është e papranueshme për Serbinë”, pretendon ish-ambasadori serb në Gjermani, Millovan Bozhinoviq.
Ish-diplomati shprehet gjithashtu i bindur se propozimi i Kosovës lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, gjegjësisht “jo siç është dakorduar në Bruksel”,.
“Do të jetë në nivelin e një OJQ-je dhe kjo nuk është e pranueshme për ne. Pa një presion radikal ndaj Prishtinës, mendoj se nuk mund të ketë progres sa i përket dialogut, por edhe Asociacionit, dhe unë nuk shoh një presion të tillë nga von Cramon, BE dhe Perëndimi”, ka deklaruar Bozhinoviq për portalin në gjuhën serbe “Kosovo Online”.
Ai gjithashtu beson se ky nuk është “aksioni i parë i këtij lloji për të bartur përgjegjësinë te Beogradi”.
“Prishtina do të dalë me një propozim që nuk është i pranueshëm për Beogradin dhe më pas do të mundohen të kalojnë përgjegjësinë tek ne. Unë jam në mesin e atyre që besoj se pala serbe nuk ka më vend për kompromis, ose do të jetë Asociacion “ashtu siç është dakorduar”, ose nuk do të jetë, dhe atëherë të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundon Bozhinoviq.